Shkup 11 shkurt – Shkronjat “Qeveria e Republikës së Maqedonisë” nga fasada e ndërtesës së Qeverisë janë hequr me siguri gjatë natës që t’i bëhet vendi emrit të ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut, transmeton koha.mk
Sot në mëngjes nuk është vërejtur asnjë aktivitet pune në fasadën e ndërtesës.
Sot Greqia me notë verbale do të informojë Maqedoninë se kanë kaluar të gjitha pengesat për t’i dhënë fund kontestit disa vjeçar për emrin dhe fillon të vlejë Marrëveshja e Prespës me të cilën vendi ynë do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
Hapi i ardhshëm është që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia do të parashtrojnë letër të përbashkët deri te Sekretari i përgjithshëm i OKB, me të cilën do të informojnë Antonio Guteresh për datën e futjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare. Pas kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë përkatëse informon Sekretariatin e OKB, vendet-anëtare, vendet monitoruese të OKB, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare ku është anëtare, për ndryshimet e ndodhura. E gjithë kjo pritet të ndodhë gjatë disa ditëve në vijim”, thonë nga MPJ. (koha.mk)