Dibër, 23 prill – Edhe pse pas vitit 2001 në Kushtetutën e Republikës të Maqedonisë u bënë ndryshime, me të cilët në komunat ku bashkësitë etnike janë mbi 20 për qind përdoret, përveç gjuhës maqedonase, edhe gjuha e bashkësisë, në këtë rast edhe gjuha shqipe, në disa institucione vazhdon të mos respektohet dygjuhësia, shkruan gazeta KOHA. Kjo ndodh në institucione ku drejtorët nuk janë shqiptarë. Por, edhe pse ata nuk respektojnë kushtetutën, inspektorët kompetentë nuk kanë ndërmarrë asnjë akt për ndëshkim të tyre. Në situatë kur Gjykata Themelore në Dibër, Prokuroria, Fondi për sigurim shëndetësor, Fondi për sigurim pensional dhe invalidor dhe institucione të tjera mbishkrimet i kanë në dy gjuhë maqedonisht dhe shqip, Qendra për Punësim, Kadastra, Njësia për dhënien e certifikatave dhe disa institucione të tjera, vazhdojnë mbishkrimet t’i kenë në një gjuhë – maqedonisht. Vetëm disa metra i ndajnë objektet e njësisë së Fondit për sigurim shëndetësor dhe Kadastrën dhe të dy këto institucione kanë mbishkrime të ndryshme. Fondi zbaton dygjuhësinë, kurse Kadastra njëgjuhësinë, edhe pse të dy janë institucione qendrore. Kjo situatë iriton dibranët, të cilët thonë se edhe Kushtetuta për këtë çështje zbatohet sipas dëshirave të udhëheqësve, edhe pse Dibra në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet është dygjuhësore. Kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli, në lidhje me këtë problem thekson se institucionet duhet të respektojnë ligjin. Dibra është një komunë me shumicë shqiptare dhe duhet të respektohet dygjuhësia. Ai ka thënë se organet duhet të ndërmarrin aktivitete dhe të respektohet Kushtetuta e Maqedonisë, me të cilën garantohet dygjuhësia në qytetet siç është Dibra. Ne si këshill, thotë për KOHA Mashkulli, kemi debatuar në këtë temë dhe kemi reaguar edhe te institucionet përkatëse, por përmirësim deri tani nuk ka.
Problemi në fjalë është debatuar pothuajse te të gjithë shoqatat qytetare. Ata kërkojnë që të gjithë institucionet të respektojnë Kushtetutën dhe mbishkrimet t’i kenë në dy gjuhë: maqedonisht dhe shqip. Disa nga shoqatat kanë kërkuar që mbishkrimet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për pushtet vendor, në dy gjuhë t’i kenë edhe ndërmarrjet publike shtetërore dhe kompanitë që veprojnë në Dibër. EVN ka vendosur mbishkrim në dy gjuhë, kurse më parë këtë e ka bërë edhe Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”. (koha.mk)