Çerdhja tek shkolla ekonomike ka kapacitet për 120 fëmijë, ndërsa janë regjistruar 170. Në çerdhen “Teteks” kapaciteti është për 160 fëmijë, kurse janë pranuar 220. Çerdhja e Vjetër gjithsej ka kapacitet për 90 fëmijë, kurse janë regjistruar 130. Edhe në objektin e lagjes “Potok” kapacitetet janë për 120 fëmijë, kurse 165 janë të regjistruar
Urim HASIPI
Tetovë, 4 prill – Çerdhet e Tetovës janë të mbi populluara dhe nga viti në vit ka më shumë fëmijë se sa ka kapacitete për të pranuar. Kjo situatë tashmë është e pranishme vite me radhë, ngase rritet numri i prindërve që dërgojnë fëmijët në çerdhe, shkruan gazeta KOHA. Sipas drejtoreshës së çerdhes “Rinia”, Ramije Dauti, zgjidhja është tek ndërtimi i një objekti të ri. “Në vitin 2017 kishim një numër mbi kapacitetet që mund të marrin çerdhet.
Gjithashtu, edhe në vitin 2018 kemi numër mbi kapacitete, mirëpo nevojat e prindërve të cilët kanë nevojë të regjistrojnë fëmijët e tyre për përkujdesje në çerdhe rritet, kështu që nga ana jonë dhe nga ana e Komunës së Tetovës bëhen angazhime që të mund të sigurojmë mjete për ndërtimin e një objekti të ri. Janë bërë kërkesat, ka projekt – që të gjitha janë gati dhe presim momentin që të fillojmë ta realizojmë. Bëhet fjalë për një objekt me një kapacitet për rreth 400 fëmijë, që besojmë se atëherë do të kishim mbuluar tërë Komunën e Tetovës, domethënë kur flasim për tërë Komunën e Tetovës, kemi parasysh edhe fshatrat përreth”, deklaroi Dauti. Ajo shprehet se ende ka prindër në listat e pritjes për të sjellë fëmijët në çerdhe.
“Tani për tani, nën përkujdesjen tonë vetëm në qytet janë 780 fëmijë, ndërsa në kuadër të çerdhes që e kemi në Komunën e Tetovës, kemi diku rreth 1070 fëmijë të regjistruar për vitin 2018. Kemi ende kërkesa të reja, pra kemi prindër që janë në listën e pritjes dhe që presin momentin kur ç’lajmërohet një fëmijë, menjëherë ftohet fëmija tjetër pasi Komisioni për pranimin e fëmijëve menjëherë thërret prindin tjetër dhe i ofron regjistrim”, sqaroi drejtoresha Dauti. Këtë vit pritet të fillohet me renovimet e objekteve që janë në kuadër të çerdhes “Rinia” me çka do të ofrohen edhe kushte më të mira për fëmijët.
“Sa u përket kushteve në çerdhet tona, në këtë drejtim ne mundohemi, punojmë që ushqimin ta kemi sipas standardeve dhe higjienën e kopshteve, mirëpo ne nuk kemi mundësi që ti bëjmë renovimet e mëdha që duhet të bëhen. Presim që në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, nga ky vit të fillohet me renovimet e objekteve dhe besojmë që deri vitin e ardhshëm që të gjitha çerdhet do të jenë të rikonstruuara dhe të rregulluara sipas standardeve. Është paraparë që të rregullohen edhe brenda edhe jashtë dhe të pajisen me të gjitha ato mjetet për punë për edukatoret, bisedohet për projekte pak më të mëdha, të cilat në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, mendojmë që ti realizojmë këtë vit”, theksoi ajo.
Problem në vete është se në shumë çerdhe – edukatoreve ende nuk u janë vazhduar kontratat e punës për shkak se nuk janë dhënë pëlqime nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. “Për momentin, nevojat për edukatore të çerdheve i mbulon Komuna e Tetovës pasi nuk kemi pëlqime nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Edhe atë personel që kemi nevojë, e siguron komuna, por presim që në të ardhmen të kemi pëlqime pasi që edhe vet e dini se ministrja Mila Carovska e tha se të gjitha çerdhet do të kenë punësime të reja dhe presim që të jetë ashtu, pasi vite me radhë kemi hapur edhe grupe në hapësira të ndryshme si në Komunën e Bogovinës, Komunën e Tearcës dhe në atë kohë – nuk na është dhënë pëlqim për ato të punësuar atje. Presim që tash të na jepen dhe ti rregullojmë kuadrot që të gjithë të jenë me vendime të përhershme dhe të punohet normalisht siç i ka hije një çerdheje”, sqaron drejtoresha e çerdhes “Rinia”, Ramije Dauti.
Sipas informacioneve, çerdhja tek shkolla ekonomike ka kapacitet për 120 fëmijë, ndërsa janë regjistruar 170. Në çerdhen “Teteks” kapaciteti është për 160 fëmijë, kurse janë pranuar 220. Çerdhja e Vjetër gjithsej ka kapacitet për 90 fëmijë, kurse janë regjistruar 130. Në objektin në lagjen “Potok” kapacitetet janë për 120 fëmijë, kurse 165 janë të regjistruar. (koha.mk)