Shkencëtarë amerikane dhe holandeze njoftojnë se mbipesha trupore shkurton jetëgjatësinë. Për arritjen e këtij përfundimi shkencëtarëve iu deshën disa vjet studimi te hollësishëm te çështjes. Ekspertet e universiteteve në Birmingham te Alabames dhe Johns Hopkins në Maryland shqyrtuan të dhënat e grumbulluara prej vitesh nga sondazhet e agjencive federale mbi shëndetin mes dhjetëra mijëra njerëzve.
Doktor David Allison pranë universitetit te Alabames thotë se synimi i studimit ishte për të përcaktuar ndikimin që ka mbipesha në jetëgjatësinë e njeriut. Të dhënat e njoftuara në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë tregojnë se jeta e personave me mbipeshë trupore mund të shkurtohet 20 vjet, nëse mbipesha fillon rreth moshës 20 vjeçare.
Gjithashtu, një grua e re zezake me mbipeshë trupore mund të humbasë 4 deri 5 vjet të jetës se saj, ndërsa një grua e racës së bardhë po me mbipeshë trupore mund të humbasë nga 5 deri 8 vjet. Gjendja keqësohet për burrat. Një burrë i racës së bardhë me mbipeshë të madhe trupore mund të jetojë 12 vjet më pak, ndërsa një i ri zezak në të njëjtat kushte të mbipeshës trupore mund të jetojë 20 vjet më pak.
Edhe një studim i shkencëtarëve holandez, botuar në revistën amerikane, shkencëtaret e mjekësisë arrin në të njëjtin përfundim pas shqyrtimit të të dhënave shëndetësore të rreth 3300 personave të përfshirë ne studimin 55 vjeçar të Institutit Framingam në shtetin Massachusets.
Në studim thuhet se në përgjithësi, personat 40 vjeçarë me mbipeshë trupore jetojnë 7 vjet më pak sesa personat të së njëjtës moshë, por me peshë trupore normale. Autorët e studimit thonë se rastet e mbi peshës trupore janë më të përhapura ne vendet e industrializuara dhe rekomandojnë që masat parandaluese dhe trajtimi i këtij problemi të bëhet përparësi e institucioneve shëndetësore.