Humbja e peshës mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin dhe gjithashtu mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër rreziqeve shëndetësore të pandemisë Covid-19
Rishikimi i provave nga Shëndeti Publik në Angli (NHS) zbuloi se mbipesha i rrezikoi njerëzit për kujdes intensiv në spital. Rreziku rritet ndjeshëm me shtimin e peshës. Ky lajm vjen përpara njoftimit të qeverisë për masa të reja për frenimin e mbipeshës. Dr. Alison Tedstone, nutricist në Shëndetin Publik në Angli, ka thënë se provat e tanishme ishin të qarta se të qenët me mbipeshë ju vë në rrezik më të madh të sëmundjes serioze ose vdekjes nga pandemia Covid-19, si dhe nga shumë sëmundje të tjera që kërcënojnë jetën. “Humbja e peshës mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin dhe gjithashtu mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër rreziqeve shëndetësore të pandemisë Covid-19”, ka thënë ajo. “Çështja për veprim ndaj mbipeshës nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani”, ka thënë ai. Mbretëria e Bashkuar ka një nga nivelet më të larta të obezitetit në Evropë. Pothuajse dy të tretat e të rriturve në Angli vuajnë nga mbipesha, me shifra të ngjashme në Uells, Skoci dhe Irlandën Veriore.
A JAM ME MBIPESHË?
NHS-ja thotë se shumica e të rriturve me një indeks të masës trupore (BMI) nga 25 në 29.9 janë me mbipeshë, ndërsa ata me një BMI nga 30 në 39.9 klasifikohen si obezë. Indeksi i masës së trupit llogaritet duke e ndarë peshën e një personi në kilogram sipas gjatësisë së trupit. Një masë tjetër e yndyrës së tepërt është madhësia e belit – burrat me bel prej 94cm ose më shumë dhe gratë me bel prej 80cm ose më shumë, kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë probleme të lidhura me mbipeshën. Mbështetja e njerëzve për të arritur dhe mbajtur një peshë të shëndetshme mund t’i zvogëlojë efektet e rënda të pandemisë Covid-19 në popullatë, veçanërisht në mesin e grupeve të cenueshme që preken më shumë nga mbipesha, thuhet në raport. Profesoresha Susan Jebb nga Universiteti i Oksfordit tha se ne tashmë e dimë se të moshuarit, burrat, ata nga Azia Jugore dhe disa grupe të tjera etnike, dhe njerëz që jetojnë në zona më të privuara, janë në rrezik të rritur nga Covid-19.
PROVAT
“Duke u bazuar në këto gjëra, rishikimi tregon se pesha e tepërt është një tjetër faktor rreziku shumë i rëndësishëm”, ka thënë ajo. Kishte prova se disa njerëz po luftonin me peshën e tyre gjatë pandemisë, e cila ofroi një “moment të rishqyrtimit” për të gjithë që të mendojnë për stilin e jetës së tyre”, ka shtuar ajo. Ndërkohë, janë rritur shitjet e alkoolit nëpër dyqane. Boris Johnson pritet të njoftojë së shpejti masa të reja për ta luftuar obezitetin, përfshirë ndalimin e reklamave të ushqimeve në televizione para orës 21:00. Masat akoma nuk janë finalizuar, por ka të ngjarë të përfshijnë edhe ndalimin e reklamave në internet për ushqime jo të shëndetshme dhe kufijtë e promovimeve brenda dyqaneve.