(Përkitazi me Libri ‘Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare në vitet 20- dhe 30 të shek.XX’ e autorëve Lenina Zhila dhe Vllado Popovski, shtëpia botuese ‘55’, Tiranë, 2018)
Çështja e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në mes të dy luftërave botërore, është trajtuar në një libër studimor të autorëve Lenina Zhila dhe Vllado Popovski. Marrëdhëniet ndërmjet BRSS dhe Shqipërisë gjatë viteve 20 dhe 30 të shek. XX, sipas autorëve, më tepër binin në sy me tentime për normalizimin e tyre, se sa me vetë realizimin. Studimi i këtyre marrëdhënieve është i rëndësishëm nga pikëpamja e kuptimit të gjithanshëm dhe të thellë të proceseve historike që janë zhvilluar në dy vendet gjatë periudhës së formimit të tyre.
Libri ‘Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare në vitet 20- dhe 30 të shek.XX’ e autorëve Lenina Zhila dhe Vllado Popovski, vjen në kohën kur gjeopolitika e re rajonale ka pësuar ndryshime radikale, kurse studimi i së kaluarës na ndihmon ta detektojmë më mirë të ardhmen e kësaj gjeopolitike.
I mbështetur mbi dokumentat arkivor, ky libër hedh dritë mbi politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik kundruall Shqipërisë, duke ofruar edhe detaje pak të njohura nga ajo politikë.
‘Duke kritikuar politikën e Bashkimit Sovjetik dhe mosinteresimin e tij për Shqipërinë, udhëheqësi i Seksionit për vendet ballkanike i KPPJ, G.B Sandomirskij, më 1926, theksoi: ‘Shqipëria. Kjo është dega e venitur e politikës sonë të drejtë të dikurshme për Ballkanin që arriti të çelë. Shumë viktima dhe përpjekje kanë shkuar kot – linjash të ndryshme. Për rolin tonë të tanishëm dhe për autoritetin tonë aktual në Shqipëri, nuk ia vlen të disutojmë’, shkruajnë autorët në parathënie të librit.
Teksa sqarojnë metodologjinë e hartimit të këtij libri, autorët vënë në dukje se dokumentet për marrëdhëniet sovjeto-shqiptare qenë tërhequr nga Arkivi i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse APJ të FR) gjatë punës mbi projektin ‘Çështja maqedonase në politikën e jashtme sovjetike (1922-1940)’, e cila përfundoi me botimin almanakut të dokumenteve me titullin e ngjashëm në vitin 2008.
Gjatë përgatitjes së dokumenteve për çështjen maqedonase për botim, u pa e qartë se një pjesë syresh përbëjnë një kompleks tërësor më vete, që në mënyrë mjaft precize tregonin për linjën e zhvillimit të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare gjatë viteve 20-30 të shek. XX, me qëllim që të zgjerohet baza burimore e hulumtuesve.
Dokumentet e APJ të FR, sqarojnë autorët, plotësohen me materiale të Arkivit Shtetëror të Rusisë për Historinë e Politikës Sociale dhe Arkivit të Luftës së Rusisë(ALR).
Libri ‘Marrëdhëniet sovjeto-shqiptare në vitet 20- dhe 30 të shek.XX’ e autorëve Lenina Zhila dhe Vllado Popovski është një burim të dhënash mjaft interesante mbi veprimet e ndërthurura të shërbimit diplomatik dhe atij sekret në hapësirat jashtë ruse, përfshi edhe Ballkanin. Duke e parë në këtë prizëm, libri zbulon detaje të panjohura mbi fatet e popujve të Ballkanit që ishin në duart e segmenteve të caktuara të shërbimit sekret rus dhe kishin përcaktuar edhe dizajnimin e interesave politike e ushtarake të Kremlinit.
Këto dy botime që vijnë nga gjuha maqedonase, nuk do ta kishin shkëlqimin e merituar pa përkthimin mjaft inventiv të Resul Shabanit, i cili ka arritur që lexuesit shqiptar t’ua bëjë të afërt këta dy autorë, me një sintaksë të rrjedhshme që e bën më funksional perceptimin e materialit historiografik. (koha.mk)