(Ose: skicë për portretin e harruar të shkrimtarit Ymer Elshani, vepra e të cilit është më e madhe se tonelatat e disa përmendoreve që po mbijnë anë e kënd atdheut)
Emin AZEMI
Asnjë pengesë nuk ka qenë aq konstante dhe aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë. Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqes që prodhon ajo luftë dhe nga komponentja gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur. Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjerë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtarë për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.
Sot kur kujtojmë 20-vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, dhe rënien heroike, bashkë me familjen, të komandantit legjendar, Adem Jashari, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në stuhinë e viteve 1998-‘99 në vend se të flinin rehat e butë dikund larg zonës së rrezikut, ata megjithatë, u bënë një me kushtrimin e atdheut për të sjellë në Kosovë lirinë e munguar dhe të cunguar.
Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.
Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqe u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronj të paqes.
Një burrë i mençur i Karadakut që moti kishte pas thënë: ‘Ka shumë njerëz trima që plumbi i pushkës vështirë i rrok në luftë, por pas luftës ai e vret veten me punët e pahijshme që bën’.
Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar irritim të paparë tek shtresat e gjera të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”.
Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.
Të ngelësh nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve!
Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.
Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para 15, 16 vjetëve i kishte edhe heronjtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.
Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.
Kishte prej tyre që, në heshtje e pa zhurmë, gjithë jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare, dhe nuk kishte mbetë mangut me asnjë obligim ndaj atdheut, por që sot ngelin nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve.
Njëri prej tyre është edhe shkrimtari nga Drenica, Ymer Elshani (1948), një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatët anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999.
I gjithë diagrami krijues, moral e kombëtar i Ymer Elshanit ka qenë i mbushur me ngjyrat autentike të tokës të Kosovës dhe me një talent të rrallë këto ngjyra ai i përdori për të portretizuar njeriun e vogël por të madh në shpirt, ashtu siç ishte vetë ai. Drenica, prej nga vinte shkrimtari Ymer Elshani, i kishte shërbyer atij si një lum gurgullues ku krijimtaria e tij e bujshme kishte shuar etjen. Por, ai vetë kishte mbetur i etur për lirinë që ia kishin zaptuar bajlozat e zi të Karpateve dhe në asnjë çast s’kishte menduar ta braktisë vendlindjen, edhe përkundër presioneve të shumta që vinin nga pushteti i atëhershëm. Ymer Elshani nuk u bë komandant për të udhëhequr të tjerët dhe uniforma e vetme e tij ngeli profili prej krijuesi e njeriu që e kultivoi me xhelozi deri në sekondën e fundit të jetës. Ai nuk u bë lider, por udhëhoqi veten për të qenë shembull për të tjerët që të mos e braktisnin vendlindjen, edhe atëherë kur ajo bëhej e padurueshme për të jetuar.
Ai nuk e braktisi vendlindjen edhe atëherë kur e pushuan nga puna në vitin 1985, kur ishte drejtor i gjimnazit të Drenasit, por as atëherë kur sërish e dëbojnë nga Feronikel-i, sepse edhe puna e tij prej përkthyesi që bënte, për dikënd ishte e rrezikshme.
Si u masakrua Ymer Elshani bashkë me familjen?
Për të kuptuar pak më tepër mbi momentet e fundit të jetës së këtij shkrimtari martir, i referohemi librit të dr. Xhevat Sylës ‘Universi i mirësisë’ (Prishtinë, 2008), konkretisht faqes 20, në të cilën, ndër të tjera gjejmë edhe këtë përshkrim rrëqethës: ‘më 15 prill 1999, herët në mëngjes, ai (Ymer Elshani) bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e bashkëfshatarët e tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen parapa, me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura. Po atë ditë, në orën 17:00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerr Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që përshkonte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe), me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija, Të nesërmen, në një shtëpi afër vritet edhe nëna e Ymer Elshanit’.
Edhe pa kurorat e lavdisë postume, Ymer Elshani mbetet i paharruar
Sa veta deri më tani në opinionin e gjerë publik e dinë të vërtetën se si përfundoi
një shkrimtar i madh i Kosovës, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët e tij. Apo, për t’u përmend emri, paska qenë dasht të ishe komandant, apo ndonjë figurë e shquar e ilegales së atëhershme? Ymer Elshani nuk ishte komandant, por me vargjet e tij u rritën dhe u frymëzuan vogëlushët e Drenicës dhe mbarë Kosovës, të cilët një ditë do të dilnin në frontin e luftës çlirimtare. Mjafton që ata vogëlushë u bënë komandant, por sa prej tyre sot ndiejnë përgjegjësi për këtë pakujdesi dhe indiferentizëm ndaj mësuesit, atdhetarit e shkrimtarit Ymer Elshanit?!
Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para vrasësve mizorë serbë, të pambrojtur, jo rrallë, edhe nga vetë luftëtarët e UÇK-së.
Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vjen nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan.
Kjo mënyrë e selektimit të heronjve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konsiderojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.
Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit.
Ymer Elshani edhe pa kurorat e lavdisë postume, mbetet i paharruar, sepse janë veprat ato që e bëjnë atë të veçantë në letërsi dhe stoik në jetë. Shumë prej atyre që sot krekosen me lavdinë e huazuar nga trimëritë kolektive që mbajnë vulën e anonimitetit, do të donin të kishin një miligram dinjitet nga shkrimtari i madh Elshani, por kjo nuk bëhet me porosi dhe telekomandë.
Njeriu i madh lind, ai nuk bëhet. Ymer Elshani lindi pak më i madh se gjithë ne që lirinë dhe dashurinë e atdheut e mësuan nga veprat e tij. (koha.mk)