Shkup, 3 dhjetor – Mbi gjysma e shkollave fillore në rajonin e Shkupit nuk janë inkluzive në mënyrën në të cilën Ligji për arsimin fillor e parasheh atë, përkatësisht nuk kanë të punësuar asistentë arsimor dhe personal për mbështetje të fëmijëve me pengesa. Në një numër të vogël të shkollave ka të punësuar edukatorë special dhe rehabilitues për mbështetje ndaj fëmijëve me pengesa, por brengos fakti që punësimi i tyre është në nivel të aktivitetit projektues.
Këtë e theksoi zëvendësja e Avokatit të popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, në promovimin e sotëm të Raportit për realizim të së drejtës për arsim të fëmijëve me nevoja të posaçme arsimore, përgatitur nga ekipi për monitorim të realizimit të së drejtës për arsim të fëmijëve me nevoja të posaçme arsimore, me rastin e Ditës ndërkombëtare të Konventës për të drejtat e personave me pengesa.
Në 84 shkolla fillore në rajonin e Shkupit, të cilat iu përgjigjën raportit, në vitin e ri shkollor janë regjistruar 1.236 fëmijë me pengesa, ndërkaq pjesa më e madhe e fëmijëve me pengesa janë me pengesa të lehta në zhvillim dhe fëmijë të cilët kanë spektër autik të përkeqësimit, por të dhënat flasin se edhe llojet e tjera të pengesave janë përfaqësuar në arsimin e rregullt.
Problem është, siç thekson Bajramovska-Mustafa, që nuk janë të gjitha shkollat inkluzive në mënyrë në të cilën e parasheh Ligji për arsim fillor, ndërsa për momentin komunat nuk janë të gatshme t’u dalin përballë kërkesave të të gjithë prindërve të cilët kanë diagnozë dhe mendim për nevojat e kufizuara të fëmijës, i cili ka nevojë të përfshihet në arsimin e rregullt, dhe në të cilin do t’i nevojitet mbështetje adekuate.
Ligji për arsimin fillor hyri në fuqi në shtator të këtij viti dhe zbatohet në vitin e ri shkollor, por sipas zëvendëses së Avokatit të popullit, mangësi është që në Ligj nuk ka dispozita të sakta dhe precize për atë se si duhet të ndodhë inkluziviteti.
Avokati i popullit, Ixhet Memeti, i cili pati prezantim në promovimin e sotëm të Raportit dhe ekipit për monitorim të implementimit të Konventës për të drejtat e personave me pengesa, tha se pengesat nuk duhet të shihen si mangësi apo sëmundje e personit.
“Në frymën e Konventës për të drejtat e personave me pengesa, do të them se pengesat janë pasojë e mos suksesit për shoqëri inkluzive, për pranim të individëve me dallueshmëritë e tyre. Ndryshimet lidhur me personat me pengesa duhet të kërkohen në shoqëri, duke u udhëhequr nga Konventa e cila i jep udhëzimet për ndryshime të tilla”, tha Memeti. (koha.mk)