Një qytetar mesatar punon 99 ditë për të siguruar të ardhurat nga tatimet, dhe 51 ditë punon për të siguruar të ardhurat për kontributet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shtator – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sivjet do të punojnë dy muaj e gjysmë vetëm për arkën e shtetit, tregojnë analizat e organizatave joqeveritare. Apo me fjalë të tjera nga 365 ditë, bile 150 punojmë për shtetin, ndërsa 215 ditë e tjera e fitojmë pagën tonë. Kjo përllogaritet në bazë të përqindjes së bruto pagës që çdo i punësuar e paguan për tatime dhe kontribute të ndryshme sociale, shkruan gazeta KOHA.
“Në vitin 2019, një obligues mesatar tatimor në shtet do të punojë 150 ditë për arkën e shtetit që është për 11 ditë më shumë se në vitin 2018. Apo me fjalë të tjera, një qytetar mesatar punon 99 ditë për të siguruar të ardhurat nga tatimet, dhe 51 ditë punon për të siguruar të ardhurat për kontributet”, tregon analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike.
Analiza shton më tej se nga viti 2008 në vitin 2019 ka pasur një rritje prej 115 në 150 ditë, të kohës për të cilën punojmë vetëm për shtetin. Njëherazi 17.5 për qind e të ardhurave mesatare vjetore në vitin 2019 të një qytetari shkojnë për tatime dhe 8.9 për qind e fitimit vjetor të tij shkojnë për kontribute në arkën e shtetit, tregojnë analizat e Qendrës për Analiza ekonomike. Nga atje shtojnë se 30 maji në vitin 2019 , është dita e lirisë fiskale, për shkak se prej kësaj dite qytetarët punojnë për xhepin e tyre dhe jo për shtetin.
Liria Fiskale në Kosovë mbërrin ditën e 98-të të vitit 2019, apo 5 ditë pasi ka mbërritur në Shqipëri. Këtë vit festimet fillojnë 2 ditë më vonë se viti i kaluar. Dita e festës së Lirisë Fiskale shkon në Kosovë në 8 Prill dhe ajo është shtyrë në kohë nëpërmjet barrës fiskale që është më e lartë në Kosovë në krahasim me Shqipërinë.
Ngarkesa edhe më të larta tatimore kanë shtetet fqinje si Kroacia ku një punëtor me pagë mesatare i martuar dhe me një fëmijë, që posedon veturë për shtetin punon bile 181 ditë në vit kanë përllogaritur nga shoqata Lipa. Nga atje shtojnë se totali i ngarkesës tatimore të një punëtori me pagë mesatare në Kroaci është mbi 50 për qind. Në Serbinë fqinje, qytetarët e saj punojë pesë muaj për shtetin dhe shtatë muaj për vete dhe familjen. Në Rumuni kjo ditë festohet më 3 maj, në Bullgari më 15 maj , në Serbi më 28 maj, në Bosnje e Hercegovinë në 1 qershor, në Mal të zi më 16 qershor dhe në Kroaci më 20 qershor.
Ndryshe, dita e Lirisë Fiskale, ashtu si edhe në Ballkan edhe në Maqedoninë e veriut është indeksi i lehtësimit të individit dhe biznesit nga barra e tatimeve dhe taksave. (koha.mk)