Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit ka publikuar renditjen e 400 klubeve më të mira të futbollit në botë për vitin 2016. Klasifikimi merr për bazë rezultatet e ekipeve në garat kombëtare dhe ndërkombëtare nga periudha 1 janar deri më 31 dhjetor 2016. Shkëndija është skuadra shqiptare që pozicionohet në lart. Skuadra nga Tetova, që luan në ligën e parë të Maqedonisë, renditet e 97-ta me 125 pikë, aq sa kanë edhe Kabala (Azerbajxhan), Hajduku i Splitit (Kroaci), Rozenborgu (Norvegji) dhe Al Ahli (Arabia Saudite). Interesant është fakti që menjëherë pas tyre, me një pikë më pak, vijnë emra të mëdhenj si Çelsi, Olimpiku i Marsejës dhe Steaua e Bukureshtit. Sa u takon klubeve nga kampionati ynë, mes 400 më të mirëve të botës janë vetëm dy: Kukësi në vendin e 205-të (87.5 pikë) dhe Partizani i 260-ti (77 pikë).
Surprizë është edhe vendi i parë, që mbahet nga Atletiko Nacionali. Ekipi nga Kolumbia, i pari nga jashtë Europës që udhëheq renditjen 26-vjeçare, lë pas Realin e Madridit dhe Barcelonën.