Zgjedhjet e ardhshme parlamentare çfarë aleance politike mund të prodhojë dhe a ka të ngjarë që skema opozitare shqiptaro-maqedonase të tregohet më efikase në përmbysjen skemës së tanishme. Kjo mbetet një çështje e hapur, për të cilën kërkohen analiza shtesë, kurse subjekteve politike iu mbetet të ridefinojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre mbi metodologjinë e këtyre aleancave, të cilat nuk janë gjithmonë të dëshirueshme por shumë të domosdoshme
Nga Emin AZEMI
Në Maqedoni ende nuk ka një rregull të paracaktuar që do të ndikonte pak a shumë në orientimin e forcave politike për koalicionime të mundshme para ose paszgjedhore. Deri më tani kemi pa dy skema pak a shumë standarde që janë krijuar kryesisht pas zgjedhjeve, ku kanë dominuar aleancat në mes të një partie politike maqedonase dhe partive shqiptare, varësisht nga pesha e votës që ka dalë pas zgjedhjeve.
Në këto zgjedhje që pritet të mbahen vitin që vjen vërehet një diskurs gati i përsëritur, por tani me disa risi, që ta kujton një kohë kur njerëzit dilnin në treg jo për të marrë atë që iu duhej, por atë që mund ta gjenin, sepse jo gjithmonë ka në dispozicion gjëra për të cilat kishte nevojë më së shumti.
Tani po ndodhë që partitë maqedonase që kanë mbajtur qëndrime rigide ndaj çështjeve shqiptare, të ridefinojnë pozicionet e tyre, siç është rasti edhe me VMRO-DPMNE-në dhe liderin e saj Mickovski, e cila po dërgon sinjale se në të ardhmen mund të jetë e gatshme për ndonjë aleancë të mundshme me partitë politike shqiptare nga blloku opozitar. Llogaritë e kësaj force politike nuk shkojnë përtej kalkulimeve ditore, sepse ajo është e bindur se partitë opozitare shqiptare do të arrijnë ta mposhtin BDI-në në zgjedhjet e ardhshme.
Pra, përveç votuesve, mund të jetë edhe ndonjë parti politike maqedonase e cila i gëzohet bashkimit të opozitës shqiptare, mirëpo sa do të zgjasë ky gëzim mbetet të shihet në proceset politike në vijim. Përvoja ka treguar se aleancat politike ndëretnike te ne kanë pasur përkufizime shumë specifike dhe pragmatizmi i këtyre aleancave ka qenë mbizotërues i të gjitha bashkëpunimeve.
Arsyeja për të besuar se kështu mund të ndodhë në të ardhmen, është shumë reale, por ajo që mbetet ende jo reale ka të bëjë me procesin e ‘hekurosjes’ së qëndrimeve të subjekteve politike maqedonase kundrejt çështjeve dilematike shqiptare. Deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë qëndrim të hapur të partive opozitare shqiptare, sidomos të Aleancës për shqiptarë dhe Lëvizjes Besa, me të cilat do të shpërfaqnin ndonjë diskonim pro apo kundër aleancave me subjektet politike maqedonase, sidomos me VMRO-DPMNE-në, ndonëse në rrafsh lokal ky bashkëpunim në të kaluarën ka ndodhur, sidomos gjatë zgjedhjeve vendore.
Në mungesë të ndonjë hulumtimi paksa më të specializuar mbi çështjen e aleancave poltike shqiptaro-maqedonase, opinioni publik do të jetë i detyruar të kufizohet me mendimet e fragmentuara që dalin prej analistëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm partiak. Në këto mendime jo rrallë jepen edhe orientime mbi këto aleanca, ku në disa raste është folur edhe për një koalicion të mundshëm në mes të VMRO-DPMNE-së , bie fjala, dhe disa partive opozitare shqiptare.
Vëzhguesit politik kanë mundur t’i vërejnë këto observime, por ata që do të duhej të jenë më të qartë tash e në të ardhmen janë pikërisht eksponentët e partive politike, të cilët nuk munden në pafundësi t’i kamuflojnë qëndrimet e tyre dhe t’i zbulojnë ato vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Vetëm një lider shqiptar, ai i PDSH-së, këtyre ditëve tregoi një qartësi më të madhe, duke i ftuar mbështetësit ta votojnë partinë e tij dhe LSDM-në. Ai nuk apeloi të bashkohet me opozitën shqiptare, sepse veten e sheh pjesë të pushtetit, por në anën tjetër nuk hezitoi të sulmojë një parti tjetër shqiptare (BDI) që është gjithashtu pjesë e pushtetit. Fundja, po të deklaronte ndryshe, ky lider partiak nuk do të quhej kontrovers, siç vazhdon të jetë në vazhdimësi.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare çfarë aleance politike mund të prodhojë dhe a ka të ngjarë që skema opozitare shqiptaro-maqedonase të tregohet më efikase në përmbysjen skemës së tanishme. Kjo mbetet një çështje e hapur, për të cilën kërkohen analiza shtesë, kurse subjekteve politike iu mbetet të ridefinojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre mbi metodologjinë e këtyre aleancave, të cilat nuk janë gjithmonë të dëshirueshme por shumë të domosdoshme. (koha.mk)