Largimi i të rinjve nga Shqipëria nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një plagë e madhe sociale. Plakja e shpejtë e popullsisë po shoqërohet me një fenomen dramatik, atë të braktisjes së prindërve të moshuar. Sipas Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë, janë mbi 92 mijë të moshuar që jetojnë të vetmuar. Vdekjen tragjike të çiftit nga Berati të moshuarit e shikojnë si një kambanë alarmi edhe për politikbërsit.
Kreu i Shoqatës së Pensionistëve, Faik Xhani u shpreh: “Ne pensionistët, që jemi në segmentin e fundit të jetës, kjo ngjarje është tragjike. Është një kambanë alarmi për të cilën duhet te merren masa. Janë mbi 92 mijë persona të vetmuar. 5% e tyre janë të izoluar….”. Sipas tij, shteti duhet të marrë disa masa, pasi numri i individëve të moshuar përbën mbi 13 % të popullatës së përgjithshme, me një tendencë në rritje.
Këtyre personave nuk ka se kush t’u vijë në ndihmë në kushtet e shtëpisë, ndaj Shoqata e Pensionistëve kërkon rritjen e shërbimit të asistencës sociale në familje. Gjithashtu kërkon edhe rishikimin e pensioneve, pasi shumë të moshuar jetojnë në varfëri dhe vuajnë nga një sërë sëmundjesh. Veç problemeve kardio vaskulare, 1 në 4 persona të kësaj grupmoshe vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe demenca, humbja e kujtesës.