Në Kosovë nga muaji qershor i këtij viti janë paraqitur 94 raste me fruth. Një tashmë ka përfunduar me fatalitet. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ishte alarmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në muajin mars të këtij viti se epidemia e fruthit kishte ngërthyer Evropën. Për 16 vite me radhë, në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast me fruth. Një gjendje e tillë, besohet se ishte rezultat i vaksinimit të mbi 95 për qind të popullatës. Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga muaji qershor i këtij viti kanë filluar rastet e para me fruth dhe prej asaj periudhe, janë konfirmuar gjithsej 94 raste. “Raste të shtuara prej viteve të 90-ta nuk kemi pasur. Ndërsa këta dy-tre muajt e fundit kemi pasur raste sporadike, derisa ditët e fundit janë shtuar ato, ku kemi edhe raste me komplikime, sidomos me sistemin respirator, pastaj të atyre me probleme të zemrës etj”. “Pacientët janë duke u trajtuar dhe situata është nën kontroll tash për tash. Numër enorm nuk kemi, por ka raste. Sot kemi pranuar 5 raste të reja”, tha Ahmeti. Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se vaksinat kundër fruthit duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.