Mbi 80 mijë automjete të paregjistruara

Gjatë vitit 2017 janë parashtruar 14.839 kërkesa për inicim të procedurës për kundërvajtje “vozitje me veturë të paregjistruar në komunikacion”. Byroja nacionale për sigurim në RM, me qëllim që të zgjidh problemin me numrin e madh të automjeteve të paregjistruara, ditë më parë ka propozuar pagesë shtesë për vonimin e regjistrimit të automjeteve

 

Aida XHONI

Shkup, 5 prill – Kriza ekonomike, por edhe pakujdesia, ka bërë që një numër i madh i qytetarëve të ngasin vetura me mangësi teknike dhe të paregjistruara. Ministria e Punëve të Brendshme nga fundi i këtij muaji pritet të dalë me shifra zyrtare për numrin e veturave që kanë qarkulluar të paregjistruara gjatë vitit të kaluar nëpër Maqedoni, i thanë gazetës “Koha” nga sektori për marrëdhënie me publikun në MPB.
“Ju informojmë se ende nuk janë publikuar të dhënat për numrin e veturave të regjistruara në vitin 2017. Të dhënat do të publikohen nga fundi i muajit prill të këtij viti. Gjatë vitit 2017 janë parashtruar 14.839 kërkesa për inicim të procedurës për kundërvajtje “vozitje me veturë të paregjistruar në komunikacion”,dhe  janë paguar 599 gjoba, ndërsa janë përjashtuar nga trafiku 131 vozitës dhe 13.189 automjete me bazë shkeljen e njëjtë ligjore”, njoftojnë për KOHA nga MPB-ja.

GJITHSEJ 179.423 MASA PARANDALUESE

Ministria e Punëve të Brendshme për momentin disponon me të dhëna për vitet 2012-2016. Në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016, nga ana e policisë janë ndërmarrë gjithsej 179.423 masa parandaluese kundër shoferëve për shkak të veprës penale “shfrytëzim të automjeteve pa regjistrim”.

“Në vitin 2012 janë ndërmarrë gjithsej 34.253 masa ndëshkuese edhe atë: Në vitin 2012, dënimet nuk i kanë paguar 354 vozitës, 14151 automjete janë mënjanuar nga komunikacioni, 18 personave u është konfiskuar leja e vozitjes, 585 vetura janë dërguar në kontrolle të jashtëzakonshme teknike. Në vitin 2013 janë konstatuar 35.085 shkelje, edhe atë: 443 qytetarë nuk kanë paguar dënimet, 15.203 automjete janë larguar nga trafiku, 265 shoferëve u është ndaluar të vozisin, 5 shoferëve u është marrë patentë shoferi përkohësisht ndërsa 356 vetura janë dërguar në kontroll të jashtëzakonshme teknike. Në vitin 2014 janë konstatuar gjithsej 38.628 dënime, prej tyre 704 vozitës nuk i kanë paguar gjobat, 16.799 automjete janë larguar nga përdorimi, 58 shoferë janë dënuar të mos vozisin më, 393 vetura janë dërguar në kontrollim të jashtëzakonshëm teknik. në vitin 2015, janë konstatuar 37566 kundërvajtje. prej tyre 561 nuk kanë paguar dënimet, 14.954 vetura i kanë ndaluar të voziten, 625 shoferë janë gjobitur të mos vozisin më, 6 të tjerëve u është marrë patentë shoferi përkohësisht ndërsa 266 vetura janë dërguar në kontrollim të jashtëzakonshëm teknik. Në vitin 2016 janë sanksionuar në mënyra të ndryshme 33.891 pjesëmarrës në komunikacion edhe atë 592 raste nuk i kanë paguar gjobat, 15.372 automjete janë tërhequr nga komunikacioni, 269 shoferëve u është ndaluar të vozisin më, 278 të tjerëve u është marrë përkohësisht patentë shoferi, 298 automjete janë dërguar në kontrollim të jashtëzakonshëm teknik”, informojnë nga MPB.

DËNIME EDHE PËR VONIMIN E REGJISTRIMIT TË VETURËS

Byroja nacionale për sigurim në RM, shkruan më tej KOHA, me qëllim që të zgjidh problemin me numrin e madh të automjeteve të paregjistruara, ditë më parë ka propozuar pagesë shtesë për vonimin e regjistrimit të automjeteve. Çdo automjet edhe një dit pas skadimit të afatit të regjistrimit llogaritet si e pa siguruar. Të dhënat me të cilat posedon Byroja nacionale për sigurim, tregojnë se në vitin 2017, në krahasim me vitin 2016 nuk janë përtëri 13.8 për qind e polisave, ose gjithsej 81.176 automjete janë të paregjistruara. Këtë propozim Byroja e ka dorëzuar në Qeveri kah fundi i vitit 2017. Ndryshe, në vitin 2017, në rrugët e Republikës së Maqedonisë, jetën e kanë humbur 34 këmbësorë, pesë çiklistë dhe shtatë motoçiklistë. Numri i çiklistëve dhe motoçiklistëve të cilët e humbin jetën është ulur për 50 për qind në krahasim me vitin 2016, ndërsa numri i këmbësorëve të cilët kanë humbur jetën është i njëjtë. Në bazë të këtyre treguesve, vitin e kaluar kategoritë e rrezikuara pjesëmarrës në trafik, objektiv i kësaj fushate, kanë marrë pjesë me 30 për qind nga numri i përgjithshëm i viktimave në trafik.

KRSKRR ME FUSHATË PËR SHPREHITË POZITIVE NË KOMUNIKACION

“Zgjoi shprehitë pozitive në komunikacion!” është fushata edukative e re e pranverës për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion dhe për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe rregulloren e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin e Rrugëve. Fushata do të realizohet në katër faza tematike dhe do të fokusohet për edukimin e shoferëve, ndërsa më pas edhe në ngritjen e vetëdijes në trafik për pjesëmarrje të sigurt të këmbësorëve në trafik, motoçiklistëve dhe çiklistëve – kategoritë e rrezikuara në trafik. Në atë, përveç edukimit përmes mediumeve sociale dhe elektronike, do të organizohen dhe ngjarje publike, nëpërmjet të cilave pjesëmarrësit në trafik do të njoftohen me rreziqet me të cilat ballafaqohen në trafik dhe do të marrin këshilla se si mund të tejkalohen ato. “Ulja e numrit të viktimave – këmbësorë, motoçiklistë dhe çiklistë është qëllimi i vendosur në Strategjinë e dytë ndërkombëtare për avancim të sigurisë të trafikut rrugor. Ky qëllim, në vetvete, paraqet sfidë të qartë jo vetëm për KRSKRR, por edhe për të gjitha institucionet e tjera kompetente për ngritjen e sigurisë në trafik në nivel të denjë çdo individ lirisht dhe pa frikë të marrë pjesë në trafik. Në atë drejtim, KRSKRR, disa vite me radhë, realizon aktivitete edukative të tilla apo të ngjashme”, thonë nga KRSKRR. (koha.mk)

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com