Shkup, 1 qershor 2018 (MIA) – Në tre muajt e parë të vitit në Maqedoni ka pasur 8.331 vende të lira pune. Më së shumti punëtorë kanë munguar në veprimtaritë shërbyese dhe shitje, ndërsa sipas rajonit, më të kërkuar kanë qenë punëtorët në rajonin e Pellagonisë.
Enti Shtetëror për Statistikë publikoi se në tremujorin e parë të vitit 2018, shkalla e vendeve të lira të punës arrin 1,68 për qind. Shkallë më të lartë të vendeve të lira të punës ka në sektorin Veprimtari shërbyese administrative dhe ndihmëse, 4,25 për qind, derisa më e vogël është shkalla në sektorin e Drejtorisë publike dhe mbrojtjes, sigurimin e obliguar social, ku arrin 0,20 për qind.
Më së shumti punëtorë janë kërkuar në subjektet afariste me numër të të punësuarve prej tre deri në nëntë, ku shkalla e vendeve të lira të punës ka arritur 1,91 për qind. Shkalla e vendeve të lira të punës në rajonin e Pellagonisë arrin 3,15 për qind. Por sipas numrit më së shumti vende të lira të punës ka pasur në rajonin e Shkupit, 4.137.
Sipas të dhënave të publikuara në grupin e punëtorëve në veprimtaritë shërbyese shitje ka pasur për 2.929 vende të lira pune.