“Madje 91.6 për qind e të rinjve mendojnë se zëri i tyre nuk është i përfaqësuar mjaftueshëm në proceset e vendimmarrjes në vend, ndërsa 87.3 për qind prej tyre mendojnë se shteti nuk shfrytëzon potencialin e të rinjve dhe nuk ofron mundësi për zhvillim”, thuhet në hulumtim
Shkup, 10 dhjetor – Nga rreth 426.975 të rinjtë nga mosha 15 deri 29 vjet që jetojnë në Maqedoni, 76.70 për qind ose rreth 330 mijë mendojnë të largohen nga vendi, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe vetëm 23.30 për qind (99.485) janë shprehur se dëshirojnë të mbeten në Maqedoni. Kështu thuhet në rezultatet e hulumtimit të fundit të Qendrës për Hulumtim dhe Krijim të Politikave, ndërsa arsyeja kryesore që nxit të rinjtë për këtë vendim është cilësia e dobët e jetës, duke përfshirë papunësinë ose kushtet e këqija në punë, ambienti social i pasigurisë politike dhe ekonomike, sistemi jo i mirë arsimor dhe diskriminimi, shkruan gazeta KOHA.
“Madje 91.6 për qind e të rinjve mendojnë se zëri i tyre nuk është i përfaqësuar mjaftueshëm në proceset e vendimmarrjes në vend, ndërsa 87.3 për qind prej tyre mendojnë se shteti nuk shfrytëzon potencialin e të rinjve dhe nuk ofron mundësi për zhvillim”, thuhet në hulumtim. Se me të vërtetë gjendja me ikjen e të rinjve është alarmuese, theksohet edhe nga studimet që intelektualë të ndryshëm kanë bërë në këtë drejtim. Profesori universitar, njëherësh akademik, Ize Zeqiri, thotë se në Maqedoni, për problemet dhe perspektivën e të rinjve flitet shumë pak.
“Për rininë duhet të flitet më shumë, pasi ata janë reparti më ndjeshëm i shoqërisë dhe përbën një nga vatrat më të nxehta të shoqërisë dhe në të njëjtën kohë pikat më kritike të sajë. Për sa i përket qëndrimit të rinjve ndaj jetës, kam përshtypjen se të rinjtë në Maqedoni janë në një krizë ekzistenciale dhe ideore, te ata janë rritur tendencat e pesimizmit posaçërisht në vlerësimin e mundësive personale dhe ardhshmërisë. Të rinjtë shpesh reagojnë me pasiguri dhe në mënyrë emocionale. Ata janë të gatshëm të marrin pjesë në ndryshimet politike duke u hedhur në anët e partive politike të cilët ofrojnë programet e veta, mirëpo ata zhgënjehen shpejtë sepse interesat dhe nevojat a tyre asnjë herë nuk shikohen jashtë kontestit të marrëdhënieve shoqërore, por artikulimi i tyre ka ardhur në shprehje në mënyrë verbale dhe formale”, thotë Zeqiri. (koha.mk)