Jo vetëm ky banor i kësaj lagje, por edhe shumë të tjerë çdo ditë janë të detyruar që të zbresin deri tek çezmat publike pranë varrezave të qytetit të Tetovës për të mbushur ujë për nevojat e tyre ditore. Problemi me mungesën e ujit në këtë lagje shfaqet gjatë muajve të verës
Urim HASIPI
Tetovë, 4 prill – Qindra banorë që jetojnë mbi lagjen Arabati Baba Teqe, që njihet si rruga 146, kanë problem me ujin e pijshëm. Përderisa 5 vite më parë këta banorë kishin problem me cilësinë e ujit, tashmë vërehet mungesa. Ata detyrohen të mbushin ujë larg shtëpive të tyre në një periudhë kur është më se e nevojshme higjiena personale. Në një kohë kur institucionet gjithnjë japin udhëzime për më shumë pastërti, këta banorë nuk kanë as ujë për të pastruar dhe për konsum të përditshëm, këta banorë ujin e sigurojnë përmes cisternave dhe me bidonë. Banorët ankohen se krahas problemit me ujë të pijshëm, nuk kanë as kanalizim atmosferik dhe fekale. Premtime gjithnjë janë dhënë, sipas banorëve kryesisht para zgjedhjeve, por më pas janë lënë në harresë.
“Ne nuk kemi as kanalizim, i pengojmë njëri tjetrit me kanalizimin, sepse nuk kemi sistem të rregulluar. Nuk ka ardhur askush që të na vizitojë se si vuajmë për ujë dhe për infrastrukturë tjetër elementare. Kemi një rezervuar të vogël prej nga mbushim ujë, por aty kemi frikë për shkak të higjienës. Atje lart është një rezervuar, por kur do të arrijë uji tek ne nuk e dimë”, thotë Serbez Demiri, banorë i kësaj lagje.
Jo vetëm ky banor i kësaj lagje, por edhe shumë të tjerë, çdo ditë janë të detyruar që të zbresin deri tek çezmat publike pranë varrezave të qytetit të Tetovës për të mbushur ujë për nevojat e tyre ditore. Problemi me mungesën e ujit në këtë lagje shfaqet gjatë muajve të verës. “Më shumë problem e kemi gjatë verës, kur ka mungesë të madhe të ujit. Disa herë kemi kërkuar edhe me shkrim që të rregullohet ky problem njëherë e përgjithmonë, por nuk është bërë asgjë”, pohojnë banorët.
Nga Komuna e Tetovës pohojnë se në atë lagje ka probleme me ujin e pijshëm, por këtë muaj pritet që të përfundojë furnizimi publik për përzgjedhjen e firmës që do të ndërtojë rrjetin e ujësjellësit nga rezervuari i ndërtuar e deri tek kjo lagje. “Shpresojmë që këtë muaj të fillojnë punimet për rrjetin e ujësjellësit. Baseni është ndërtuar mbi këtë lagje, dhe nëse nuk ka probleme tjera teknike, këtë muaj pas përfundimit të tenderit, kompania që do të përzgjidhet do të fillojë menjëherë me punë që të sigurohet furnizim normal me ujë të pijshëm edhe për këta banorë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Në këtë lagje të Tetovës kohëve të fundit dukshëm është shtuar numri i shtëpive dhe banorëve, kurse kjo ka bërë që të kenë edhe mungesë të theksuar të ujit të pijshëm. Sipas informacioneve, në këtë lagje ka mbi 700 banorë, ndërsa shtëpitë ku jetojnë këta banorë, janë ndërtime të pas viteve 90-ta, kurse prej atëherë e këndej autoritetet nuk kanë treguar ndonjë interesim më të madh për të rregulluar edhe infrastrukturën rrugore së bashku me kanalizimet dhe ndriçimin publik. (koha.mk)