Maqedonia e Veriut duhet të harmonizojë mbi 700 akte normative për ekologji me ato të Bashkimit Evropian (BE), mirëpo për këtë mungojnë mjetet dhe resurset njerëzore. Aktivistët ekologjikë thonë se duhet të investohet shumë në këtë sektor
Destan JONUZI
Shkup, 9 maj – Legjislacioni ekologjik i Bashkimit Evropian (BE), përmban mbi 700 akte normative dhe paraqet një nga kapitujt më voluminoz që në mënyrë korrekte duhet të harmonizohet me legjislativin e Maqedonisë së Veriut dhe më pas të aplikohet. Me buxhet prej rreth 20 milionë euro shteti planifikon që ti zgjidh problemet me ambientin jetësor, të cilat kushtojnë qindra milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Pritjet e përfaqësuesve të pushtetit janë që këtë vit të fillojnë bisedimet me BE-në, ndërsa kjo nënkupton që të hapet edhe Kapitulli 27 për ambient jetësor. Kushtet që duhet të plotësohen përveç se kanë një kosto të madhe, kërkojnë edhe kuadër përkatës profesional.
Për vitin 2019, nga arka shtetërore janë ndarë gjashtë milionë euro për ambientin jetësor, në kushte kur vendi në të ardhmen do të ballafaqohet me obligime e imponuara nga BE-ja, përmbushja e tyre do të kushtojë qindra milionë euro. Zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli, thotë se nga buxheti i përgjithshëm për ambient jetësor, 5 milionë euro janë për investime, ndërsa të gjithë ministrit së bashku për mbrojtjen e ambientit jetësor kanë gjithsej 22 milionë euro. “Pra gjithsej për Planin për ajër të pastër nga 2 milionë, ka edhe 22.3 milionë euro të cilat janë të destinuara për ambientin jetësor”, thonë nga Ministria e Ekologjisë. Antonio Jovanovski nga Organizata ekologjike “Bëju i gjelbër”, thekson se është e patjetërsueshme që të fillohet me ndërtimin e kapaciteteve të dijes dhe të rritet buxheti dhe prioriteti i Ministrisë së Ekologjisë.
“Duhet të ndërtohen kapacitete, përfundimisht Ministria e Ekologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme në sektor të ndryshëm, duke filluar nga vet buxheti dhe priotiteti i kësaj ministrie në vitet e kaluara e deri në situatën momentale. Nga njëra anë duhen kapacitetet në Ministrin e Ekologjisë, ndërsa duhet të rriten kapacitetet edhe nëpër komuna, në nivel lokal, pasi që ka komuna të cilat nuk kanë fare sektorë për ambient jetësor. Apo, njerëzit që punojnë në atë sektor punojnë krejtësisht punë tjera”, deklaroi për gazetën KOHA, Antonio Jovanovski nga Organizata ekologjike “Bëju i gjelbër”. Sipas tij, Ministria e Ekologjisë duhet që seriozisht t’i shqyrtojë kapacitetet, jo vetëm të punësohen njerëz të ri, por edhe të investohet në profesionalizimin e kuadrit ekzistues.
“Sektori i ujërave është një sektor i ri, për të cilin duhet shumë punë në harmonizimin me legjislativin e BE-së. Ne më të vërtet nuk kemi kapacitet në këtë sektor, por jo vetëm edhe në të tjera fusha ngecim”, nënvizoi Jovanovski. Sikundër dihet, kjo kosto e madhe financiare është e nevojshme vetëm për implementimin e Ligjeve për ambient jetësor, ndërsa profesionalizimi dhe rritja e resurseve njerëzore ende nuk është kalkuluar se sa mund të kushton. (koha.mk)