Mbi 6000 të diagnostikuar me Kovid-19, aktivë janë 3479

47

Shkup, 29 qershor – Numri i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vend tejkaloi 6000, ndërsa edhe më tutje vazhdon trendi i të infektuarve të rinj me numra treshifrorë, si dhe bilanci përditshëm i zi i pacientëve të cilët po e humbin betejën me virusin korona.

Që nga fillimi i këtij muaji janë evidentuar 3854 raste pozitive dhe 154 të vdekur. Vetëm katër ditë ishin me më pak se 100 të diagnostikuar – më 1 qershor, 89, më 2 qershor, më qershor 87 dhe 22 qershor 90. Rekordi i të sëmurëve ishte më 13 qershor 194, ndërsa më së shumti të vdekur kishte më 20 qershor – 11.

Më i madh është edhe numri i rasteve aktive se sa nga të shëruarit. Aktivë tani janë 3479, ndërsa nga korona janë shëruar 2315. Deri më tani kanë vdekur 286, prej të cilëve nëntë vetëm gjatë ditës së djeshme. Dje ishin regjistruar 176 të infektuar të rinj, përsëri më së shumti në Shkup 61, i cili tashmë disa javë është vatra më e madhe në vend. Në kryeqytet deri më tani ka 2951 raste të konfirmuara, aktivë janë 1978. Pas Shkupit, më së shumti të infektuar kanë në Tetovë 367, Kumanovë 283, Shtip 176, Ohër 139, Strugë 131 dhe në Resnjë 92.

Pa asnjë të infektuar tani, sipas statistikës së Institutit për Shëndet Publik, janë vetëm Radovishi, Berova, Dellçeva dhe Vinica.

Po rritet edhe numri i pacientëve të hospitalizuar. Në Klinikën Infektive deri dje ishin hospitalizuar 98 pacientë, në spitalin në Kozle 19, dhe në SPQ “8 Shtatori” 129 pacientë. Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 39, në spitalin në Shtip 28, ndërsa në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë dhe Prilep po mjekohen 80 raste pozitive në kovid-19. Në makinë respiratore janë nëntë pacientë.

Kompetentët sigurojnë se edhe krahas numrave të rritur të të infektuarve dhe të hospitalizuarve, situata po menaxhohet mirë, ndërsa sistemi shëndetësor ka kapacitet që t’i pranojë të gjithë pacientët. Ka në dispozicion mjaftueshëm shtretër dhe kuadër të mjaftueshëm – mjekë dhe infermiere. Thonë edhe se për momentin nuk ka indikacione për shtimin e masave restriktive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi se spitalet po fillojnë ta normalizojnë punën. Është bërë plan për punë dhe orar i pacientëve terminet e të cilëve janë shtyrë për shkak të krizës Kovid. Kah fundi i kësaj jave pritet që në një pjesë të klinikave dhe për disa intervenime të fillojë të funksionojë edhe sistemi “Termini Im”. Për klinikat tjera do të pritet, që të shihet se si do të realizohet intensiteti i diagnostikimit të pacientëve të rinj nga virusi korona.

Numër të rritur të të infektuarve këto ditë shënojnë edhe vendet fqinje. Në Serbi dje kishte 254 aktivë, në Bullgari 112, Kosovë 96, Shqipëri 72, Kroaci 67…

Pandemia e Kovid-19 nuk po qetësohet as në botë. Numri i të infektuarve tejkaloi 10 milionë, ndërsa më shumë se 500 mijë ndërruan jetë. Më së shumti të sëmurë kanë në SHBA 2,6 milionë, Brazil 1,26 milionë, Rusi 635 mijë dhe Indi 547 mijë.

Comments are closed.