Nju-Jork, 4 shkurt – Vetëm dy javë pas inaugurimit, Donald Tramp shënon mospajtimin më të lartë në opinionin e SHBA-së, për atë se si punon si president i sapozgjedhur amerikan, tregon hulumtimi i Si-En-En. Gjithsej 53 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën e deritanishme të Trampit në Shtëpinë e Bardhë, që është mospajtimi më i lartë i opinionit amerikan me një president të ri, pasi filluan të bëhen hulumtime të tilla. Prej të anketuarve, 44 për qind pajtohen me atë se si punon Tramp, por edhe kjo është për shtatë për qind më e ulët se matja paraprake e rejtingut. Në vitin 1981, kur është bërë një anketë e tillë që të matet rejtingu i presidentit të atëhershëm të sapozgjedhur, Ronald Regan, 51 për qind janë prononcuar se janë të kënaqur nga starti i tij në Shtëpinë e Bardhë, por vetëm 13 për qind kanë shprehur mospajtim. Xhorxh Bush, në dy javët e para si president e ka pasur mbështetjen e 57 për qind të amerikanëve, që është më shumë se Regani dhe madje 13 për qind më shumë se Trampi. Atëherë vetëm 25 për qind e amerikanëve nuk janë pajtuar me atë se si punon Bushi në fillim të mandatit. Analiza e anketës së tanishme tregon se ndikim të madh për rejtingun e tillë të ulët të Trampit kanë dekretet e tij për ndalesën e hyrjes së shtetasve të shtatë vendeve myslimane dhe për ndërtimin e murit me Meksikën. Gjithsej 65 për qind e amerikanëve nuk pajtohen me ndalesën, gjashtë prej dhjetë amerikanëve janë kundër murit ndaj Meksikës, ndërsa 55 për qind nuk e miratojnë politikën e jashtme që e komploton dhe e filloi Trampi, 53 për qind me masat e tij antiterroriste, ndërsa 50 për qind nuk dëshirojnë që të pezullohet ose të ndryshojë programi shëndetësoro-social që e vendosi presidenti paraprak, Barak Obama. Pjesa e vetme që amerikanët tani për tani e mbështesin dhe me të cilën pajtohen është ekonomia.