Xhakartë, 30 korrik – Më shumë se 500 alpinistë janë bllokuar në vullkanin Ringjani në ishullin indonezian Lombok, pas tërmetit të fuqishëm i cili dje e përfshiu rajonin, gjatë të cilit humbën jetën 16 persona dhe ishin shkatërruar qindra shtëpi.
Tërmeti me intensitet prej 6,4 ballëve ka shkaktuar rrëshqitjen e tokës gjë që e bllokoi rrugën e cila të çon deri te vullkani.
Bëhet fjalë për vullkanin e dytë më të madh në Indonezi i cili është destinacion i njohur malor për shkak të pamjes së shkëlqyer nga maja.
Ekipet shpëtimtare indoneziane shfrytëzojnë helikopterë që t’i evakuojnë alpinistët, por pritet që nxjerrja e tyre të zgjasë së paku deri nesër.