Nju-Jork, 20 shtator – Mbi 50 shtete nga mbarë bota sot në selinë e KB-së në Nju-Jork nënshkruan Marrëveshje për ndalesë të armëve bërthamore, në prani të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës Botërore, Antonio Guteresh. Vendet nënshkruese të marrëveshjes obligohen se “kurrë dhe në kurrfarë rrethanash nuk do të zhvillojnë, prodhojnë ose deponojnë armë bërthamore, as ta shfrytëzojnë ose të kërcënohen me përdorimin e tyre”. Parashikohet që Marrëveshja të hyjë në fuqi 90 ditë, pasi që do të nënshkruhet nga të paktën 50 vende anëtare të KB-së. Dokumenti është aprovuar më 7 korrik nga më shumë se 120 vende anëtare të KB-së edhe krahas kundërshtimit të fuqishëm të shteteve që posedojnë armë bërthamore, duke përfshirë edhe pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës botërore, të cilit i kanë bojkotuar bisedimet për harmonizim të tekstit të tij. Së shpejti pas fillimit të nënshkrimit të Marrëveshjes me komunikatë të përbashkët u prononcuan Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Franca, të cilat kanë thënë se kurrë nuk do t’i bashkohen kësaj marrëveshje. Lidhur me dokumentin u prononcua edhe Ministria ruse e Punëve të Jashtme, e cila theksoi se Rusia nuk do ta ratifikojë këtë Marrëveshje. Që para fillimit të nënshkrimit të Marrëveshjes u prononcua edhe NATO, e cila e dënoi dokumentin dhe porositi se ai nuk do të shkaktojë ndryshim në detyrimet juridike të vendeve-anëtare të Aleancës në lidhje me armët bërthamore.