Mbi 440 persona janë lënduar natën e kaluar gjatë përleshjeve mes policisë rumune dhe pjesëmarrësve të protestave antiqeveritare në Bukuresht, që i oranizuan rumunët që jetojnë jashtë vendit. Deri te përleshjet erdhi kur një pjesë e pjesëmarrësve në protesta tentuan ta depërtojnë kordonin policor para ndërtesës së Qeversë rumune, ku mbahej protesta. Mediat rumune njoftuan se policia disa herë ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e demonstruesve. Gjatë intervenimit policor janë arrestuar më shumë persona, por numri i tyre tani për tani nuk është i njohur.
Burime mjekësore kumtuan se mes personave të lënduar ka edhe demonstrues dhe policë, prej të cilëve disa kanë pasur edhe lëndime në kokë. Axhipres, duke iu referuar burimeve policore, njoftoi se gjatë përleshjeve janë lënduar 24 policë. Presidenti rumun Klaus Johanes, i cili vjen nga radhët e opozitës, ashpër e dënoi, siç tha, intervenimin brutal të policisë për shpërndarjen e demonstruesve, duke i akuzuar policët për përdorimin e forcës tejmasë.
Sipas burimeve policore, në protestat në Bukuresht kanë marrë pjesë rreth 20.000 persona. Demonstruesit kanë mbajtur flamuj rumunë dhe të Bashkimit Evropian dhe brohorisnin “Drejtësi, e jo korrupsion”. Paralelisht me protestën në Bukluresht, demonstrata antiqeveritare të diasporës u mbajtën edhe në qytete tjera në Rumani. Pjesëtarët e diasporës rumune të cilët kanë arritur në protesta nga më shumë shtete evropiane, janë të pakënaqur me menyrën me të cilën udhëhiqet Rumania. Në vendet e huaja jetojnë rreth tre milionë rumunë, të cilët pohojnë se e kanë braktisur vendin për shkak të korrupsionit, rrogave të vogla dhe mungesës së mundësive.