Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për Punësim, në tremujorin e parë të këtij viti, 56.9 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve në Maqedoni janë të aftë për të punuar që është për 0.2 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar
Zejnulla VESELI
Shkup, 7 gusht – Numri i popullatës aktive të aftë për punë në Maqedoni brenda një viti është rritur për 4000 persona, gjegjësisht për 0.4 për qind në nivel vjetor. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për Punësim, në tremujorin e parë të këtij viti – 56.9 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve në Maqedoni janë të aftë për të punuar e që është për 0.2 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Ndërkohë, sipas këtyre të dhënave, në tremujorin e parë të këtij viti, popullata aktive për punë kap shifrën prej 956.640 persona prej të cilëve 749.892 persona janë të punësuar, kurse 206.748 persona janë të papunë. Në Maqedoni për momentin ka 7145 vende të lira të punës. Pjesa më e madhe e shpalljeve për vende të reja të punës janë për pozicionet: specializant për resurse njerëzore, moler, shitës, menaxher prodhimtarie, komercialist, shofer, elektromontues, saldues, distributor, administrator, si dhe drejtorë.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për Punësim, në tremujorin e parë të këtij viti shkalla e vendeve të lira të punës ishte 1.68 për qind, ndërsa numri më i madh i vendeve të lira të punës dhe at 2929 janë shpallur për grupin “punëtorë në veprimtaritë shërbyese dhe shitëse”.
Në bazë të anketës së zhvilluar për fuqinë punëtore, përveç në sektorin shërbyes dhe industrial, rritje më të madhe të punëtorëve nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2018 ka pasur në sektorin e ndërtimtarisë. Shkalla e punësimeve në kuartalin e parë të këtij viti ka arritur shifrën prej 44.6 për qind, gjegjësisht krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, punësimet janë më të larta për 0.9 për qind.
Në anën tjetër, të dhënat zyrtare tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve është rritur për 2.2 për qind, gjegjësisht 16.000 punonjës të rinj kështu që numër më të madh të punësime ka në sektorin e industrisë (8700 punonjës ose 5.2 për qind), pastaj në sektorin e ndërtimtarisë me 4800 punëtorë të rinj apo 9.4 për qind dhe në sektorin e shërbimeve me 2700 punonjës të rinj ose 0.7 për qind. Shikuar sipas statusit ekonomik, te të gjitha kategoritë ka rritje të numrit të punëtorëve përveç tek punësimet familjare.
Për periudhë njëvjeçare, numri i punëtorëve të rinj është rritur për 13.500 punonjës apo 2.4 për qind, si dhe është rritur edhe numri i punëdhënësve për 3200 perona apo 9.4 për qind. Rritja e numrit të punësuarve ka ndikuar dukshëm në uljen e numrit të papunësisë në Maqedoni që i bie të jetë zvogëluar për 12 mijë persona apo 5.4 për qind.
Pikërisht këto lëvizje e punësimeve të reja në kuartalin e parë të vitit 2018 ka kontribuar që numri i të papunëve të bie në 21.6 për qind e që shënon ulje për 1.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Njëherazi, nëse i shohim të dhënat e Agjencisë për Punësim sipas kufirit të moshës, papunësia gjithashtu është ulur në të gjitha grupet dhe ulje ka pasur nga mosha 25 deri më 49 vjet, ndërsa në anën tjetër – numri i popullsisë aktive për punë brenda një viti është rritur për 4000 persona. (koha.mk)