Mbi 400 mijë qytetar të Maqedonisë kanë porositur apo kanë blerë produkte përmes internetit, qytetarët kryesisht blejnë rroba dhe pajisje sportive. Anketa e Entit shtetëror për statistikë në tremujorin e parë të këtij viti ku të anketuarit kanë njoftuar për porositë e kryera përmes internetit gjatë 12 muajve të fundit tregon rritje të shitjes përmes internetit për 62 për qind.
Kështu, gjatë këtij vitit përmes internetit kanë blerë rreth 31,6 për qind e konsumatorëve për dallim nga viti i kaluar kur porosi nëpërmjet internetit kanë bërë 19,5 për qind.
Rrobat dhe pajisjet sportive janë gjërat të cilat më së shumti i blejnë qytetarët e Maqedonisë përmes internetit.
Nga Asociacioni për e-tregti i Maqedonisë, të cilët përmes një kumtese sot informuan për gjendjen e re në e-tregti duke iu referuar anketave të Entit shtetëror statistikor thonë se e rëndësishme është se është vërejtur rritje e blerjes nëpërmjet internetit nga e-tregtarët vendas.
“Nëse në të kaluarën tregtia dominuese “onlajn” ka qenë tek shitësit nga pjesa tjetër e botës, të dhënat e fundit të Entit shtetëror statistikor tregojnë se qytetarët e Maqedonisë në mënyrë dominuese kanë tregtuar nga e-tregtarët vendas, që është veçanërisht për të përshëndetur”, thuhet në kumtesën e Asociacionit për e-tregti.