Los Anxhelos, 7 korrik – Më shumë se 4.700 tërmete e goditën Kaliforninë jugore nga e enjtja e deri më sot, duke përfshirë edhe më të fuqishmin prej 7.1 gradë sipas shkallës së Rihterit, ndërsa toka do të vazhdojë të dridhet edhe në muajt e ardhshëm.
“Po ndodhin (lëkundje) çdo 30 sekonda, secilën minutë”, thotë Xhon Belini gjeofizikan nga Instituti sizmologjik amerikan për Si-En-En.
Tërmeti i parë i fuqishëm prej 6,4 gradë ishte të enjten, ndërsa të premten në mbrëmje pjesën jugore të Kalifornisë e goditi një tërmet prej 7,1 gradë. Në orën e parë pas këtij tërmeti, kishte edhe tre tërmete me fuqi prej më shumë se pesë- një prej 5.5 dhe dy nga 5.4 gradë.
Sizmologu Igil Hokson thotë se shkencëtarët besojnë se në gjashtë muajt e ardhshëm këtë rajon do ta godasin më shumë se 30.000 tërmete me magnitude 1 ose më të madhe.
Gjasat që të ketë tërmet prej shtatë shkallëve në javën e ardhshme ranë në tre për qind, informuan mediet amerikane.
Nga ana tjetër, gjasat për tërmet prej gjashtë gradëve është 27 për qind, pastaj një ose dy tërmete të tilla mund të priten javën e ardhshme.
Sipas vlerësimeve të sizmologëve, tërmeti i para pak kohësh është më i fuqishmi i cili e goditi Kaliforninë në 20 vitet e kaluara.
Guvernatori i Kalifornisë, Gevin Uesti, bëri të ditur sot gjendje të jashtëzakonshme në pjesën jugore të Kalifornisë, që shkaktoi dëm të madh të premten, në tërmetin me fuqi prej 7,1 gradë.