Mbi 4 000 të shëruar nga KOVID-19 për dy ditë, aktive gjithsej 12.635 raste

44

Shkup, 18 janar – Numri i pacientëve të shëruar nga Kovid-19 në dy ditët e fundit është nga mbi dy mijë në ditë, përkatësisht vetëm gjatë fundjavës janë shëruar gjithsej 4 125 persona. Në 24 orët mes të shtunës dhe të dielës janë regjistruar 190 raste të reja, nga 1 530 teste të bëra.

Në periudhën e njejtë vdiqën gjashtë persona, katër pacientë nga Shkupi në moshë 60, 74, 44 dhe 86 vjeçe, një 72-vjeçar nga Kumanova dhe një 64-vjeçar nga Gostivari. Pacientët kanë vdekur në kushte spitalore.

Numri i rasteve aktive në shtet paraqet 12 635, prej të cilëve 58 për qind apo 7 373 janë në Shkup, pas çka pasojnë Tetova me 466, Kumanova me 452 dhe Kavadari me 403.

Në spitalet e Shkupit dhe në vend ka gjithsej 685 pacientë me kovid, ndërsa sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë ka rreth 616 shtretër të lirë spitalorë në kovid-qendrat.

Plani për vaksinim është gati, ndërsa muajin e ardhshëm, sipas autoriteteve shëndetësore, pritet të arrijnë dozat e para të vaksinave në vend nga “Fajzer” dhe mekanizmi “KOVAKS”.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko FIlipçe, sistemi shëndetësor është plotësisht i përgatitur për vaksinim. Tashmë kanë arritur dy frigoriferë të cilët ishin paralajmëruar si donacion për vaksinë “Fajzer” e cila ruhet në -70 gradë, ndërsa priten edhe tre gjatë javëve në vijim. Në një frigorifer mund të deponohen 100 mijë doza të vaksinave.

Filipçe paralajmëroi se për kohë të shkurtë do të arrihet marrëveshje me kompaninë Fajzer prej ku priten 5.850 doza në shkurt, ndërsa nga 17.500 në mars dhe në prill. Në shkurt, pohon ministri, do të arrijnë edhe vaksinat përmes mekanizmit Kovaks, për të cilat është bërë pagesa dhe është siguruar garanca adekuate. Sasia e përgjithshme e vaksinës përmes këtij mekanizmi në vendin tonë është 833.000 doza.

Sipas planit, në fazën parë të vaksinimit janë punonjësit shëndetësorë të cilët punojnë me pacientë me kovid, të punësuarit në laboratore ku bëhet diagnostikimi, të mbrojturit e shtëpive për persona me nevoja të posaçme dhe personat më të moshuar nga grupet e rritura mbi 70 vjeç të cilët kanë komorbiditet. N[ë grupin e dytë janë punonjësit e tjerë shëndetësorë, të punësuarit në infrastrukturën kritike – mësimdhënësit, të punësuarit në kopshte, gazetarët dhe gjithsesi pacientët nga grup-moshat e tjera të cilët kanë sëmundje kronike.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vend prej fillimit të epidemisë është 88 938, numri i pacientëve të shëruar është 73 601, i të vdekurve është 2 702, ndërsa numri i rasteve aktive është 12 635.

Në suaza globale, ndërkaq, numri i të infektuarve me Kovid-19 u ngrit në mbi 95 milionë, ndërsa nga pasojat nga infektimi vdiqën 2.034.623 njerëz, përderisa u shëruan përafërsisht 68 milionë.

Sipas të dhënave nga “Uorlldmetër” prej fillimit të pandemisë deri dje me Kovid-19 në botë janë të infektuar 95.168.543 njerëz, ndërsa u shëruan 67.937.306 persona.

Më të goditura nga pandemia janë SHBA-ja, ku janë regjistruar mbi 24,3 milionë pacientë dhe mbi 405.000 raste të vdekjes. Për nga numri i rasteve të vdekjes në vend të dytë është Brazili, ku nga Kovid-19 vdiqën 209.350 njerëz, ndërsa gjithsej të infektuar janë mbi 8,4 milionë persona. Më pas pason India me mbi 10,5 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 152.000 raste të vdekjes.

Epidemiologu dhe anëtar i Këshillit shkencor të Francës, profesori Arno Fontane për RTL deklaroi se pas pandemisë me Kovid-19, kthimi në normalitet pritet në tremujorin e fundit të vitit 2021, por se për atë “do të duhet distribuim i madh i vaksinave”.

Ai është optimist se për gjashtë muaj është i mundshëm vaksinimi i tërë popullatës. “Qëllimi primar është të vaksinohen më të ndjeshmit. Qëllimi i dytë është të ndalojë përhapja e virusit. Për këtë do të nevojitet të preket deri tek më të rinjtë dhe të zgjerohet përfshirja për vaksinim tek fëmijët. Sapo të pohojmë se nuk ka efekte serioze negative nga vaksina, atëherë do të mund ta ulim kufirin e moshës”, theksoi Fontane.

Epidemiologu insiston në rëndësinë e zhvillimit të “vetëdijes në nivel global”. “Do të lirohemi nga virusi vetëm nëse luajmë në letrën e problemit global shëndetësor dhe nëse vaksinat arrijnë në të gjitha vendet e botës. Në të kundërtën, rrezikojmë për paraqitje të llojeve të tjera të virusit”, konsideron Fontane.