Shkup, 17 janar – Mbi 35 për qind e eksportit të Maqedonisë prodhohet në zonat zhvillimore teknologjiko-industriale, ndërsa një e treta e eksportit janë makineri dhe pajisje transportuese – prodhime të sofistikuara, theksoi ministri i Financave Kirill Minoski në konferencën vjetore “Euromoney”, e cila mbahet në Vjenë, në të cilën po merr pjesë së bashku me guvernatorin e Bankës Popullore Dimitar Bogov. Siç njoftoi Ministria e Financave, duke folur për përfitimet nga investimet e huaja në Maqedoni, Minoski i theksoi uljen e papunësisë, rritjen dhe diversifikimin e eksportit ndaj prodhimeve me vlerë të shtuar, si dhe lidhjen e kompanive të huaja dhe atyre vendore. “Shkallën e papunësisë arritëm ta sjellim nga 38 për qind në 23,4 për qind. Janë hapur 160.000 vende të reja pune. Investimet e drejtpërdrejta të huaja (IDH) kanë pjesë të madhe në këtë rezultat edhe atë jo vetëm përmes punësimeve të drejtpërdrejta, ato krijojnë punë edhe për kompanitë vendore. Eksporti nga zona teknologjike industriale është një e treta nga eksporti i përgjithshëm i shtetit dhe çdo vit në kontinuitet po rritet. Fabrikat të cilat punojnë nëpër zona jo vetëm që kontribuuan për rritje të eksportit, por edhe për diversifikimin e tij. Nëse para hyrjes së IDH-ve në vend pjesa e makinerive dhe pajisjeve transportuese të eksportuara, si prodhime me vlerë të shtuar më të lartë ishte 5 për qind nga eksporti i përgjithshëm, sot ato marrin pjesë në eksportin e përgjithshëm me rreth 30 për qind”, theksoi Minoski. Ai thotë se përfitimi nga investimet e huaja është edhe lidhja e kompanive të huaja me ato vendore, transmetimi i përvojave, know-how, hapje të disa dyerve për kompanitë e Maqedonisë në tregjet ndërkombëtare, të cilët paraprakisht për to ishin të mbyllura. Ministri i Financave pret që dinamika e hyrjes së investimeve të huaja do të mbetet e njëjtë edhe në periudhën e ardhshme. “Për shkak se shkalla e papunësisë në Maqedoni ende është e lartë, politikat dhe masat për tërheqje të investimeve të huaja do të jenë aktuale edhe në periudhën e ardhshme. Si qëllim më tej është që të tërhiqen më shumë investime intensive kapitale, të cilat kanë qëndrueshmëri më të madhe dhe nuk bazohen vetëm në çmimin e punës. Veçmë ekziston një trend i tillë tek investimet e sapohyra në Maqedoni”, theksoi Minoski. Ministri i Financave në fjalimin e tij në konferencë u përqendrua edhe në menaxhimin me financat. “Përqendrimi në politikën fiskale mbetet në sigurimin e nivelit të rëndësishëm të investimeve publike, të cilët janë parakusht për përmirësim të perspektivave ekonomike, si dhe jetë më të mirë dhe më cilësore të qytetarëve. Por, do të theksoj edhe se në afat të mesëm do të angazhohemi për përcaktimin për konsolidim etapor të financave publike, me ç’rast është paraparë ulje e konsiderueshme e deficitit buxhetor nën kriterin e Mastrihtit nga 3 për qind nga BPV-ja”, thotë Minoski. “Euromoney” është një nga konferencat më të mëdha nga sfera e financave nga Evropa Qendrore dhe Lindore, në të cilën marrin pjesë ministra të financave, guvernatorë të bankave qendrore, investitorë dhe banka. Siç thuhet në kumtesën nga Ministria e Financave, nga rajoni, përveç ministrit të Financave të Maqedonisë, marrin pjesë edhe ministri i Financave i Kroacisë Zdravko Mariq, ministri i Financave i Serbisë Dushan Vujoviq, ministrja e Financave e Hungarisë Agnes Hornung dhe ministri i Financave i Shqipërisë Arben Ahmetaj. Konferencën e sivjetme e hapi ministri i Financave i Austrisë Hans Jorg Shiling.