Shkup, 26 tetor – Në vitin 2017, shkalla e njerëzve të varfër në Maqedoni ka qenë 22.2 për qind ose rreth 460 mijë banorë, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë. Bazë e llogaritjeve të varfërisë, ashtu si njoftojnë nga ESHS, janë të ardhurat, ndërsa pragu i varfërisë është i definuar në 60 për qind nga të ardhurat mesatare ekuivalente, shkruan gazeta KOHA.
Analizuar sipas llojeve të familjeve, shkalla e varfërisë së familjeve të përbëra nga dy të rritur me dy fëmijë për mirëmbajtje në vitin 2017 është 20 për qind. Sipas aktivitetit ekonomik, shkalla e personave të punësuar por që janë të varfër – është 9.0 për qind, përderisa shkalla e pensionistëve të varfër është 7.7 për qind.
Sipas ESHS, “gini koeficienti” – masa për pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave, është 32.5 për qind. Shkalla e varfërisë është më e lartë në krahasim me vitin e kaluar kur ajo ishte 21.0 për qind ose rreth 445 mijë banorë kanë qenë të varfër. (koha.mk)