Zejnulla VESELI
Shkup, 22 janar – Sigurimi i vazhdueshëm i barnave me kualitet të lartë për nevojat e të siguruarve është angazhimi i vazhdueshëm i punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) dhe me listën pozitive të barnave mbulohet një sasi e madhe e barnave të shpërndara nëpër barnatoret që kanë marrëveshje me Fondin, duke ju ofruar të siguruarve mundësinë për përzgjedhje më të gjerë të barnave. Kështu deklaroi Orhan Ramadani, drejtoi i FSSH-së, sipas të cilit sasia dhe shumëllojshmëria e barnave që mund të merren me recetë ka arritur deri 1.210 barna, me emër të mbrojtur nga prodhues të ndryshëm, shkruan gazeta KOHA. “Në fakt këto barna përfshijnë 427 gjenerikë me fortësi dhe formë dozimi prej të cilave 75% janë barna pa kosto shtesë, përveç participimit i cili zbatohet në pajtueshmëri me rregullat ligjore. Këto barna të siguruarit i marrin me recetë nga mjeku amë ndërsa për një lloj të veçantë të barnave është i nevojshëm rekomandimi i mjekut specialist apo subspecialist”, tha Ramadani. Me barnat e Listës pozitive, thekson Ramadani, të siguruarit mund të furnizohen nga 776 barnatore të shpërndara nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë prej të cilave, 695 janë barnatore nëpër mjediset urbane, 72 janë stacione farmaceutike, 6 janë barnatore mobile dhe 3 janë barnatore rurale. “Për këtë arsye, buxheti për barnat me recetë në vitin 2016 u rrit në vlerë prej 2.55 miliard denarëve për dallim nga buxheti i vitit 2015 i cili ishte 2,46 miliard denarë, ndërsa tani, në vitin 2017 buxheti për barna është rritur edhe për 200 milion denarë shtesë”, deklaroi Ramadani. Ai më tej informoi se rritja e numrit të barnatoreve që kanë marrëveshje me Fondin, rritja e buxhetit për barna, efektet pozitive të masave të ndërmarra nga Fondi dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë të cilat u implementuan viteve të fundit me qëllim që të sigurohet sasi e mjaftueshme e barnave për nevojat e të siguruarve, vërtetohen me të dhënat e raportit vjetor të vitit 2016, të dhëna që dëshmojnë rritjen e konsumit të barnave me recetë në kuadër të Fondit. “Nëse krahasojmë vitin 2009 atëherë kur edhe filloi të zbatohet sistemi për çmimet referente të barnave prej të cilave vetëm 20% e tyre kanë qenë pa kosto shtesë, dukshëm vërehet efekti pozitiv respektivisht rritja katërfish e sasisë së barnave me recetë ose rreth 75% nga numri i përgjithshëm i barnave që janë pa kosto shtesë në vitin 2016. Kjo tregon se Fondi ka arritur t’i kursejë mjetet personale të personave të siguruar”, deklaroi Ramadani duke shtura se të dhënat sa i përkasin konsumit të barnave me recetë që i mbulon Fondi, ndër vite shënojnë rritje të vazhdueshme. Sa për krahasim, në vitin 2002 për 8 milion receta janë ndarë 1,2 miliard denarë, në vitin 2008 për 10 milion receta janë ndarë 1,3 miliard denarë, ndërsa prej 01.09.2016 Fondi ka dyfishuar buxhetin për barnat me recetë respektivisht ka ndarë mjete prej me 2,55 miliard denarëve.”Nga të dhënat e analizave të bëra vijmë në përfundim se konsumi i barnave nëpër të gjitha rajonet shënon rritje. Rajoni i Shkupit njihet si rajoni me konsumim më të madhe, ndërsa rajoni Verilindor me konsumim të ulët. Rajoni i Shkupit është rajoni në të cilin më së shumti konsumohen barnat me recetë nga ana e të siguruarve edhe atë me 6 milion e 920 mijë receta (rreth 31,06%). Konsumi i barnave sipas vlerës më të lartë financiare përsëri vërehet në Njësinë rajonale të Shkupit me gjithsej 861 milion e 107 mijë denarëve (rreth 32,8%), më pas rradhitet rajoni i Pollagonisë me 2.944 milion receta me vlerë prej 331,5 milion denarëve dhe vendin e tretë e zë rajoni i Pollogut me 2.475 milion receta me vlerë prej 279,9 milion denarëve”, tha Ramadani. Nga barnat me recetë më të konsumuar gjatë viti 2016 janë Enalaprili, medikament për uljen e tensionit të lartë të gjakut, të e kanë konsumuar 176.321 ose 9,5% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar, Metforminin e kanë konsumuar 91.471 ose 4,9% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar dhe Diazepamin e kanë konsumuar 216.024 ose 11,7% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.