Përderisa komunat janë në një situatë të palakmueshme financiare gjatë kësaj periudhe që më shumë t’i kushtojnë rëndësi këtij problemi, në anën tjetër qentë endacakë vazhdojnë të jenë shqetësim për më shumë se 200 mijë banorë në Pollog
Urim HASIPI
Tetovë, 7 korrik – Ende zvarritet zgjidhja e problemit me qentë endacakë në Tetovë. Deri më tani, edhe pse ka indikacione se qentë endacakë sillen nga qytete tjera, megjithatë policia deri më tani nuk ka arritur që të detektojë se kush dhe nga ku i sjell qentë në Tetovë dhe rrethinë. Dhe derisa zgjat ky problem rrugët e Tetovës dhe vendbanimeve rurale janë përplot me qen endacakë. Të njëjtit paraqesin rrezik për banorët e këtyre vendbanimeve, ngase janë rritur rastet e kafshimit nga qentë endacakë në repartin e sëmundjeve infektive në Tetovë. Në fillim të këtij viti, vazhdimisht nga pushteti lokal në Tetovë është thënë se komuna vetë të ndërtojë një qendër për trajtim të qenve endacak, por situata me korona virusin ka bërë që të mos merren hapa konkret. Paralajmërimet në fillim të vitit ishin se pas gjashtë muajve do të ndërtohet një qendër e këtillë. “Për këtë vit ne ndamë një shumë më të madhe të mjeteve për sa i përket trajtimit të qenve endacakë, mirëpo meqenëse ministria e financave na shkurtoj një pjesë të tyre, tani kemi ndarë 1 milion denarë, shumë kjo jo e kënaqshme për trajtim, mirëpo ka një gjë pozitive, që kemi në plan të hapim dhe qendrën tonë sa i përket trajtimit të qenve endacak, është marrë një lokacion në fshatin Falisht dhe në bashkëpunim në mes të OJQ-ve, dhe punojmë që diku kah muaji i shtatë të hapim qendrën për trajtimin e të njëjtëve” deklaroi për gazetën Koha në muajin janar, Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Por, tashmë në këtë drejtim nuk ka asnjë hap konkret ngase situata me pandeminë ka pezulluar shumë aktivitete të pushtit lokal në Tetovë. Nga komunat e Pollogut, vetëm Gostivari ka dy strehimore për qentë endacakë. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari kohë më parë është shprehur se si komunë kanë punuar për zgjidhjen e këtij problemi. “Kemi dy strehimore për qentë endacakë,me aq kapacitetet që kemi për momentin. Kemi mundur të bëjmë më shumë për këtë problem, por mund të them se deri më tash nuk ka patur asnjë lëvizje, nuk ka patur strehimore, tash kemi bërë diçka. Nuk e kemi zgjidhur, por kemi punuar, nuk kemi qëndruar duarkryq. Jemi ndër komunat e rralla në Maqedoni që deri diku mirë e menaxhojmë problemin me qentë endacakë, por ne nuk i kemi mekanizmat që të ndalojmë sjelljen e tyre prej qyteteve tjera”, deklaroi Taravari.
Nga Komuna e Tetovës dhe e Gostivarit kanë apeluar deri tek Sektori për punë të brendshme në Tetovë që të jenë më të kujdesshëm dhe të sillen me përgjegjësi sepse qentë endacakë është evidente se sillen nga qytetet tjera. Po ashtu, kur në Tetovë u hap një qendër për trajtimin e qenve endacakë është apeluar që edhe komunat tjera të bashkëngjiten dhe të participojnë për të tejkaluar këtë problem, por deri më tani nuk ka asnjë bashkëpunim të ndërsjellë mes pushteteve lokale që qytetarët të mos jenë në rrezik. Përderisa komunat janë në një situatë të palakmueshme financiare gjatë kësaj periudhe që më shumë t’i kushtojnë rëndësi këtij problemi, në anën tjetër qentë endacakë vazhdojnë të jenë shqetësim për më shumë se 200 mijë banorë në Pollog. Nga ana tjetër, jo vetëm Tetova dhe Gostivari, por edhe komunat rurale janë duke u përballur me këtë problem të kamotshëm. (koha.mk)