Nga VMRO pretendojnë se ky kriminalitet është përdorë për falsifikim zgjedhorë, ndërsa thonë se këto duplifikime të numrave amë, sigurisht kanë ndodhur pas vitit 2016, atëherë kur edhe u pastrua Lista zgjedhore. Nga VMRO pyesin ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, si është e mundur që Lista zgjedhore të jetë pastruar, ndërsa mbi 20.000 persona kanë nga dy numra amë
Xhenur ISENI
Shkup, 15 prill – Pas skandalit që publikoi partia opozitare VMRO-DPMNE lidhur me aferën e pasaportave, sot nga kjo parti në një brifing me gazetarët kanë shpalosur një tjetër skandal të Qeverisë të quajtur “Mafia2”. Bëhet fjalë për, siç e quajnë në VMRO, aferë ku më shumë se 20 mijë persona kanë nga dy numra amë, ndërkohë të njëjtit figurojnë edhe në Listën zgjedhore në më shumë se një vendvotim. “Sipas informatave tashmë të konfirmuara, në Maqedoni ekzistojnë mbi 20 mijë persona që kanë së paku dy numra amë. Njëri person me dy numra amë figuron dy herë në Listën zgjedhore. Me identitet të dyfishtë, personat mund ti keqpërdorin institucionet shtetërore, bankat”, thonë nga VMRO-DPMNE. Nga fotografitë që ka publikuar partia opozitare, shihen disa emra që pretendohet se kanë dy numra amë si ai i Isamet Metushevski nga Nikishtani, Xheladin Ademovski nga fshati Çiflig që me numrin amë tjetër, ashtu sikurse vëllai i tij – Xhadin Ademovski nga Çairi, e që sipas VMRO-DPMNE-së identiteti i tij përdoret edhe nga narko-bosi turk Sedat Peker. U përmend edhe Nehat Shaipovski nga fshati Çiflig, që në numrin tjetër amë – figuron me emrin Boja Bogdanovski, shkruan gazeta KOHA.
Nga VMRO pretendojnë se ky kriminalitet është përdorë për falsifikim zgjedhorë, ndërsa thonë se këto duplifikime të numrave amë, sigurisht kanë ndodhur pas vitit 2016, atëherë kur edhe u pastrua Lista zgjedhore. Nga VMRO pyesin ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, si është e mundur që Lista zgjedhore të jetë pastruar, ndërsa mbi 20.000 persona kanë nga dy numra amë. “Si është e mundur të kemi 20.000 identitete të dyfishta dhe si është e mundur që MPB të jep dokumente për identifikim të Xhadin Ademovski. Oliver Spasovski tanimë gjashtë vjet është ministër. Ndërkohë, Lista zgjedhore dhe personat me dy numra amë u pastruan para zgjedhjeve të vitit 2016, kur përsëri ministër për Punë të Brendshme ishte Spasovski. Nëse atëherë opozita dhe pushteti LSDM-VMRO-DPMNE konstatuan se Lista zgjedhore është pastruar, gjegjësisht se janë fshirë numrat amë të dyfishta, atëherë pse sot ekziston dyshimi për rreth 20.000 numra amë të dyfishtë. E gjithë kjo le dyshime se diçka ka ndodhur gjatë katër viteve të kaluara”, pyesin nga VMRO-DPMNE.
Veç kësaj, VMRO akuzon se Prokuroria e shtetit është e lidhur ngushtë me krimin e LSDM, pasi siç shprehen në partinë e Mickoskit, paditë e fundit të Prokurorisë kundër personave që kanë ndarë pasaporta për narko-bosët, janë qesharake dhe joserioze.
“E para, rasti u inicua nga Prokuroria themelore dhe jo nga Prokuroria për krim të organizuar, lëndë kjo që bie nën ingerecat e saj. E dyta, personat, nëntë që u thanë, kanë vetëm propozim-padi dhe jo padi konkrete. E treta, të njëjtit akuzon vetëm për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe jo për ‘bashkim kriminel’, ‘falsifikim’ dhe ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Mjafton ajo që ka vetëm propozim-padi, që tregon se Pokuroria është në duart e politikës në pushtet”, thonë në VMRO-DPMNE.
Në VMRO kanë folur edhe për kapjen së fundmi të 200 kilogramëve drogë javë më parë, ndërsa kanë përfshirë sërish punonjës të firmave të kryeministrit Zoran Zaev.
“Jovan Vukotiç, narko-bosi serb që kishte pasaportë edhe të Maqedonisë, gjatë marrjes në pyetje në Beograd, ka theksuar se pasaportën e Maqedonisë e ka në mënyrë legale. Veç kësaj, vitin e kaluar, Vukotiç, me pasaportë të Maqedonisë, e ka blerë një biznes në Sofje pikërisht nga një maqedonas i Strumicës që ka biznese edhe në Bullgari. Dhe, ai qytetari i Strumicës që i ka shitur biznes Vukotiçit, ditë më parë u kap me 200 kg drogë”, thonë në VMRO. Po të mos ishte DEA amerikane, sipas partisë së Mickoskit, droga nuk do të ishte kapur asnjëherë. (koha.mk)