Mbi 20.000 persona, duke përfshirë edhe ushtarë dhe zjarrfikës nga vende të tjera, marrin pjesë në shuarjen e zjarreve pyjore që u shkaktuan në Kili, informon Drejtoria kombëtare për situata të jashtëzakonshme, cituar nga TASS. Në luftën me flakët, janë përfshirë edhe ushtarë, njësite speciale nga korporata kombëtare pyjore, zjarrfikës vullnetarë, nëpunës shtetërorë dhe të punësuar në kompani private. Ndihmë treguan edhe mbi 600 të huaj. Në aktivitetet për përballje me stihinë e zjarrtë janë mobilizuar 42 fluturake të shërbimeve kiliane, nga SHBA-ja është dërguar një aeroplan “Boing 747-400 Supertanker” (aeroplani më i madh për luftën me zjarre), nga Rusia është dërguar aeroplan “Il-76” , ndërsa kanë arritur edhe dy aeroplanë brazilianë “C-130 Herkules”. Sipas të dhënave më të reja, zjarret, që tani më disa javë po digjen në pjesën qendrore dhe jugore të Kilit, e shkaktuan vdekjen e 11 personave dhe shkatërruan mbi 1.000 banesa dhe shtëpi. Janë bërë shkrumb e hi sipërfaqet prej 370.000 hektarëve.