Prishtinë, 7 gusht – Gjithsej 2.569 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë kërkuar heqje dorë nga shtetësia kosovare në periudhën nga 1 janari deri më 31 korrik të këtij viti, publikoi sot Ministria kosovare e Punëve të Brendshme (MPB).
Siç njoftohet nga Prishtina, gjatë vitit 2018 nga shtetësia amë kanë hequr dorë gjithsej 5.481 qytetarë të Kosovës.
Numri më i madh i atyre që kanë parashtruar kërkesë për heqje dorë nga shtetësia e Kosovës janë persona që jetojnë në Gjermani, ndërsa pasojnë ata nga Austria dhe Sllovenia.
Sipas statistikave që i publikoi MPB-ja, shtetësi të Republikës së Kosovës në shtatë muajt e parë të këtij viti kanë kërkuar 305 persona, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar, të njëjtën e kanë bërë 638 persona, nga të cilët pjesa më e madhe vijnë nga vendet fqinje.(koha.mk)