Gjatë orës policore, vetëm brenda një nate në Tetovë janë djegur tre kontejnerë. Policia e Tetovës ka theksuar se ka raste të këtilla të denoncimit, por deri më tash nuk ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave
Urim HASIPI
Tetovë, 5 maj – Dukshëm është rritur këtë vit numri i intervenimeve të zjarrfikësve të Tetovës në shuarjen e zjarreve. Nëse në katër muajt e parë të vitit të kaluar (2020) ishin regjistruar 90 intervenime në shuarjen e zjarreve, këtë vit – vetëm për katër muaj numri i intervenimeve është mbi 190. Sipas Uka Aitit, komandant i Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë, më shumë zjarre këtë vit janë regjistruar nëpër kontejnerë për mbeturina. “Nuk kemi menduar dhe as planifikuar që këtë vit brenda katër muajve do të kemi kaq shumë zjarre. Kemi 193 intervenime për katër muaj dhe është një shifër që na shqetëson pa masë, sepse këtë shifër nuk e kemi patur asnjëherë. Për këtë periudhë, edhe pse temperaturat nuk janë aq të larta, ne kemi shumë intervenime dhe imagjinoni se sa zjarre do të kemi kur do të rriten temperaturat gjatë verës. Dua që të apeloj tek qytetarët sepse kohëve të fundit kemi një dukuri të ndezjes së kontejnerëve për mbeturina dhe kjo është në vazhdimësi sepse çdo natë ne pranojmë thirrje për intervenime në shuarjen e zjarreve në kontejnerë”, deklaroi Aliti.
Dukuria e djegies së kontejnerëve nuk është fenomen i ri, por ky fenomen shfaqet shpesh. Statistikat e deritanishme tregojnë se në Tetovë në vit digjen dhe dëmtohen rreth 100 kontejnerë, të cilët jo vetëm që e dëmtojnë financiarisht ndërmarrjen por edhe japin një imazh të keq vetë qytetit. Ky fenomem ndodh vetëm gjatë orëve të natës kur të njëjtave u vihet zjarri nga persona të paidentifikuar deri më tash. Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova, nënvizojnë se djegia e kontejnerëve u kushton shumë pasi që në disa pjesë të qytetit të Tetovës janë vendosur kontejnerë plastike. “Ndezja e kontajnierëve është një nga dukuritë e cila më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë të mëdha, pasi që brenda vitit rreth 100 kontejnerë përfshihen nga zjarri. Një kontajnier i plastikës kushton 18 mijë denarë, ndërsa 100 kontejnerë të djegur është një shumë e madhe e cila mbulohet me buxhet vetanak të ndërmarrjes”, thotë drejtori i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka. Rikujtojmë se gjatë orës policore, vetëm një natë në Tetovë janë djegur tre kontejnerë. Policia e Tetovës ka theksuar se ka raste të këtilla të denoncimit por deri më tash nuk ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave. Ndërkaq, me përmirësimin e kushteve klimatike tashmë në rajonin e Pollogut vërehet një lëvizje më e madhe e bujqve. Me këtë rast, nga policia e Tetovës theksojnë se që nga mesi i këtij muaji, në rajonin e gjerë të Tetovës dhe Gostivarit, aktivitetet bujqësore janë intensifikuar më masë të madhe dhe apelohet tek qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur punojnë ose lëvizin në zonë.
“Kjo është veçanërisht për bujqit, si dhe ata që merren me pyje në mënyra të ndryshme dhe për nevoja të ndryshme që të mos djegin kallamishte, mbeturina, pemë dhe degë të thata, sepse flakët përhapen shpejt dhe lehtë, veçanërisht kur frynë era, sepse atëherë zjarri mund të jetë vështirë për t’u kontrolluar dhe lokalizuar. Përveç kësaj, bujqit dhe qytetarët gjithashtu këshillohen që të mos hedhin cigaret ndezura”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Policia e Tetovës rikujton edhe një herë se shkaktimi i qëllimshëm i një zjarri në pyll paraqet vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg prej tetë deri në dhjetë vjet, në varësisht nga vendi dhe shkalla e zjarrit, si dhe pasojave tjera përfundimtare. (koha.mk)