Evis HALILI
Shkup, 29 mars – Janë mbi 180 ankesa që presin të shqyrtohen nga komisioni i shkallës së dytë në Qeveri, lidhur me projektet e refuzuara të Konkursit vjetor me interes nacional në kulturë, shkruan gazeta KOHA. Individë, institucione, shoqata e të tjera kanë parashtruar ankesa, të cilat prej disa muajsh jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por lëndët janë rikthyer edhe njëherë për t’u pajisur me dokumentacionin e plotë në Ministrinë e Kulturës. Mes këtyre ankesave rreth 50 janë për projekte që lidhen me kulturën shqiptare. Jetmir Lika anëtar i këtij Komisioni sqaron se lëndët nuk kanë qenë të plota, në dosje kanë munguar shumë dokumente dhe për këtë arsye i kanë rikthyer sërish në Ministrinë e Kulturës.
“Kur të plotësohet dokumentacioni do të mund të merremi me shqyrtimin e lëndëve. Ne i kemi dërguar sërish në Ministrinë e Kulturës, pasi mungojnë konkursi, kriteret, e të tjera. Është herët të thuhet se kur do të përfundojë ky proces”, thotë për KOHA, Lika. Në fakt, këtë vit ky proces po zgjatet më shumë sesa viti i kaluar, edhe pse numri i ankesave është më i vogël, si pasojë e numrit më të madh të projekteve të miratuara në Programin e kulturës për vitin 2017. Për rrjedhojë një pjesë e ankesave lidhen me nivelin e financimit që i është bërë projektit dhe kërkesat lidhen me shtimin e të fondit për realizmin e projektit. Ankesat zakonisht dërgohen në një afat të caktuar pas njoftimit që aplikanti merr nga Ministria, por edhe pas nënshkrimit të kontratave, që thuajse ka përfunduar për një pjesë të institucioneve lokale dhe qendrore të kulturës. Projektet që lidhen me kulturën shqiptare, janë në një numër të madh dhe buxheti që i është akorduar këtë vit është rreth 14 milionë denarë. Por, jo të gjitha kanë përfituar shuma të konsiderueshme, varësisht sektorit ku bëjnë pjesë, sidomos ai i botimeve. Jozyrtarisht mësohet se shqyrtimi i ankesave do të ofrojë një mundësi të re botimit të disa librave më shumë, realizimit të manifestimeve të ndryshme kulturore, apo edhe projekteve që lidhen me trashëgiminë. Kultura shqiptare këtë vit, duke u bazuar tek projektet e miratuara do të spikasë në sferën e botimeve, aty ku këtë vit u shënuan rekorde sa i takon projekteve të miratuara nga shtëpi botimi më të vogla, autorë më pak të njohur, të rinj, e të tjerë. Ndërsa promovimi në botë i kulturës shqiptare do të dominohet nga ekspozitat e artistëve figurativë, pjesëmarrje në festivalet e dramës, folklorit, librit e kështu me radhë. Sa i takon aplikimeve këtë vit interesimi i pjesës shqiptare është zhvendosur në sektorin e Bashkëpunimit ndërkombëtar, krahasuar me vitet e tjera ku numri i aplikimeve ishte shumë i vogël. Konkursi i këtij viti u mbyll një muaj me vonesë, në muajin janar të këtij viti, për shkak se edhe puna e komisioneve të kulturës stagnoi disa herë për shkak të vërejtjeve të bëra për projektet e refuzuara dhe shumën e financimit të tyre, kryesisht nga institucionet e kulturës, Opera dhe Baleti, Teatri Nacional e të tjera. Edhe buxheti që u akordua për këtë program ishte më i madh sesa ai i viteve të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara