Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 maj – Megjithë të drejtën e garantuar kushtetues dhe të përkufizuar edhe me Ligjin për arsim fillor, shkollimi në gjuhën amtare i shqiptarëve të Maqedonisë jo çdo herë është një e drejtë e realizuar në praktikë. Përveç mungesave të shumta në nivelin e arsimit të lartë dhe të mesëm, sot e kësaj dite një numër i konsiderueshëm i fëmijëve shqiptarë kanë probleme serioze në arsimin bazik, pra në nivelin shkollimit fillor, shkruan gazeta KOHA. Fshatrat e Velesit, nuk janë rast i izoluar i mosshkollimit në gjuhën amtare të nxënësve shqiptarë. Në nivel shteti, llogaritet të jetë mbi 1400 numri i shqiptarëve, të cilët shkollohen ose në gjuhën maqedonase ose në gjuhën turke. Shkak për këtë është sigurisht mungesa e shkollave shqipe, respektivisht mossigurimi i mësuesve shqiptarë. Ndërkaq, rastet kur një pjesë të lëndëve i mësojnë në gjuhën shqipe dhe një pjesë në gjuhën maqedonase janë kategori tjetër nxënësish të cilët zyrtarisht llogaritet se mësojnë në gjuhën shqipe edhe pse jo krejtësisht. Këso shembuj ka në shumë shkolla të Manastir, Ohrit, Prilepit dhe Shkupit. Nëse këta të fundit do t’i shtoheshin numrit të nxënësve që nuk kanë fare mundësi të mësojnë në gjuhën shqipe, do të shkonte në rreth 3000 numri i nxënësve shqiptarë që as shkollimin fillor nuk mund ta ndjekin sikurse duhet në gjuhën e tyre amtare.
Sidoqoftë, edhe vetëm me numrat që zyrtarisht tregojnë nxënësit shqiptarë që shkollimin e ndjekin në gjuhën jo amtare, përqindja në fjalë është shqetësuese. Ata përbëjnë më tepër se 2 për qind e numrit të nxënësve shqiptarë të përfshirë në arsimin fillor. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dy vite më parë në të gjitha shkollat fillore të Maqedonisë kishte 62188 nxënës shqiptarë, nga 190541 gjithsej. Në paralelet maqedonase, sipas të njëjtave burime, në vitin shkollor 2005/2006 ishin 1217 nxënës shqiptarë, ndërsa në paralelet me mësim në gjuhën turke, 184 nxënës ishin shqiptarë. Konkretisht, në numrin e përgjithshëm të nxënësve shqiptarë kategoria e atyre që nuk shkollohen në gjuhën amtare është 2.3 për qind. Më këtë shpjegohet edhe disproprcioni i përqindjeve të nxënësve sipas gjuhës në të cilën zhvillojnë mësimin dhe sipas përkatësisë etnike. Kështu, nëse sipas kësaj të fundit shqiptarët përbëjnë 32.6 për qind (pra 62188 nga gjithsej 190541 nxënës), në paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë 32.2 për qind, ose 4 promil më pak. E kundërta ndodh te maqedonasit, të cilët sipas përkatësisë etnike janë më pak se sa sipas gjuhës në të cilën e zhvillojnë mësimin, edhe atë me një dallim prej gati 10 shkallë. Në paralelet maqedonase, përveç 1217 nxënësve shqiptarë “shkrihen” edhe mijëra turq (2118), boshnjakë, romë, e kështu me radhë. Si përfundim nga 54.8 për qind e pjesëmarrjes së nxënësve maqedonasve si përkatësi etnike (104 524) në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase përqindja ritet në 64.5 për qind (122929 nxënës nga 190541 në total). Në bazë të këtyre të dhënave shihet qartë se në arsimin fillor një e terët e nxënësve të shkollave fillore, ose 32.6 për qind janë shqiptarë. Mirëpo, edhe përkundër ndryshimeve të shumta që janë bërë në 20 vitet e fundit, prapë se prapë në Maqedoni nuk i është dhënë fund mekanizmit të asimilimit gjuhësor në shkolla.
Kjo tendencë, përcjell KOHA, është konfirmuar edhe në analizën e bërë nga USAID një vit më parë enkas me fazën e parë të projektit për Integrim Arsimor në Maqedoni. Këtu, jepen të dhëna sipas të cilave në 24 shkolla fillore mësimi në gjuhën shqipe ndërpritet në ciklin e dytë ose të tretë të arsimit nëntëvjeçar, pra kemi të bëjmë me një kategori nxënësish të cilët edhe pse regjistrojnë shkollën fillore në gjuhën shqipe e ndërpresin më mes atë. Analizë e bërë nga ana e USAID-it për shkollat fillore shumë-gjuheshe, tregon se në shkollat e Maqedonisë nuk ka stabilitet gjuhësor, pra se gjuhët e përfaqësuara në arsimin fillor nuk kanë vijë të njëtrajtshme në të gjitha vitet e shkollimit.
“Më pak se gjysma e shkollave nuk ofrojnë mësim në të gjitha gjuhët mësimore gjatë gjithë viteve shkollore. Ata funksionojnë si shkolla dy-gjuhësh vetëm në vitet e para shkollore (në nivel të arsimit fillor) dhe vazhdojnë si shkolla një-gjuhësh në vitet tjera shkollore. Kjo vlen pothuajse për të gjitha shkollat fillore të gjuhës maqedonase dhe turke, si dhe për gjysmën e shkollave fillore maqedonase dhe shqipe”, qëndron në analizës që USAID e realizoi në vitin 2016 enkas me Projektin “Integrimi Ndëretnik në Maqedoni”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara