Shkup, 4 dhjetor – Gjatë vitit të kaluar, deri të Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve (OMK) gjithsej 2722 qytetarë kanë kërkuar ndihmë dhe këshilla se si të veprojnë pasi aparatet e ndryshme elektrike të blera në dyqane, për një periudhë të shkurtër u janë prishur, shkruan gazeta KOHA. Prej tyre, 1575 janë ankesa nga konsumatorë të rajonit të Shkupit, ndërsa 1147 janë ankesa vijnë nga Tetova, Koçani, Shtipi, Manastiri dhe Ohri. Sipas OMK-së, është viti i dytë më radhë që konsumatorët më së shumti ankohen për defekte që ndodhin me aparatet elektrike siç janë televizorë, lavatriçe, frigoriferë dhe celularë… kështu që, edhe pse e kanë listën e garancisë, në të shumtën e rasteve serviserët e autorizuara pas sanimit të defekteve, sërisht për një kohë të shkurtër paraqitet defekti i njëjtë. “Qytetarët më së shumti ankohen se presin më shumë se një muaj, gjegjësisht tre deri në katër muaj që serviseri i autorizuar të rregullojë lavatriçen, frigoriferin, televizorin apo celularin. Mirëpo, edhe pasi serviseri të sanojë defektin, shumica e qytetarëve thonë se për një kohë të shkurtë sërish u prishet aparati dhe pasi i çojnë prapë për servisim, shumica e këtyre aparateve nuk rregullohen më”, thotë Marija Lonçar-Velkova, kryetare e OMK-së, duke shtuar se kjo nuk duhet të ndodh, pasi serviseri obligohet që gjatë kohës derisa aparati është në servisim, të njëjtin ta zëvendësojë me tjetër. “E para, serviseri i autorizuar është i obliguar të shkojë në shtëpi te konsumatori dhe të tentojë ta ndreqë aparatin elektrik dhe nëse bëhet fjalë për defekt të madh, atëherë duhet ta marrë me vete dhe në afat prej 30 ditësh ta sanojë defektin. Gjatë kësaj kohe derisa aparati është në servisim, serviseri i autorizuar obligohet që konsumatorit t’i sigurojë aparat tjetër për aq kohë sa zgjatë rregullimi i aparatit të prishur”, thotë Lonçar Velkova. Mirëpo, shton më tej ajo, qytetarët ankohen se jo vetëm që serviseri duhet të shkojë në shtëpi te konsumatori për të rregulluar defektin e aparateve, por në të shumtën e rasteve atyre u thuhet që duhet vetë ta sjellin aparatin deri te servisi. Problemi tjetër me të cilën ballafaqohen konsumatorët, thotë Lonçar Velkova, është se shumica e qytetarëve nuk e dinë se pas servisimit të tretë të pasuksesshëm të sanimit të defektit, atëherë prodhuesi apo shitësi është i obliguar që menjëherë konsumatorit ti japë aparat të ri, ose t’i kthehen të hollat. Që të mund ta realizojë këtë të drejtë, shpjegon Lonçar Velkova, konsumatori duhet t’i ndjekë disa rregulla. “Së pari duhet ta njoftojnë shitësin ku e ka blerë aparatin dhe këtë duhet ta bëjë me shkrim se, edhe pas servisimit të tretë, aparati nuk është rregulluar. Atëherë shitësi kërkon nga servisi vërtetim se aparati nuk mund të ndreqet dhe më pas – shitësi sjell vendim se a do ta zëvendësojë më aparat tjetër apo do t’i kthejë shumën e plotë e të hollave që ka paguar konsumatori”, thotë Lonaçar Velkova.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.