Kabineti qeveritar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe opozita, po vlerësohet i mbipopulluar. Sidomos, bëhet fjalë për numrin e madh të zëvendësministrave. Aktualisht, janë të punësuar 67 zëvendësministra, duke lënë prapa, për kah numri i madh, edhe disa vende të Bashkimit Evropian, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare. Kabineti qeveritar deri më tani përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe 67 zëvendësministra. Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, thotë se nuk ka ndonjë llogari sa është kostoja financiare e këtyre zëvendësministrave, por sipas tij, koalicioni i gjerë qeverisës ka sjellë një situatë të tillë. “Secila ministri e arsyeton apo justifikon këtë numër duke përshkruar punët ose veprimet të cilat do t’i bëjnë këta zëvendësministra. Dhe ju e dini se kemi të bëjmë me një koalicion të madh, me 22 subjekte dhe grupe politike, prandaj është gjendja kjo që është”, tha Matoshi për Radion Evropa e Lirë. Nga shoqëria civile, vlerësohet se kostoja financiare për mbulimin e shpenzimeve për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave është e lartë. Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit. Bazuar në këto llogaritje, del se shpenzimet për zëvendësministrat, gjatë një mandati prej katër vjetëve, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 12 milionë euro. Edhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, aktualisht deputet në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se punësimi i rreth 70 zëvendësministrave, me nga tre veta staf, buxhetit do t’i kushtojë rreth 3.5 milionë euro.