Nga Dragan SHTAVLANIN
“Kriminelë janë gjithmonë të tjerët, populli i tyre është gjithmonë viktimë”. Ky qëndrim i historianit Shkëlzen Gashi, i thënë disa vite më parë në lidhje me analizën e teksteve serbe dhe shqiptare në Kosovë – ndoshta më së miri e përshkruan vlimin e serishëm në marrëdhëniet serbo-shqiptare në javët e fundit. Rasti më i fundit janë deklaratat e ish-kryeministrit të Kosovës dhe njërit nga liderët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinaj, dhe reagimet e ashpra të Beogradit. Ai i bëri thirrje Serbisë që ta fshijë Kosovën nga preambula në Kushtetutën e saj, duke kërcënuar se kur ai të bëhet kryeministër, me Kushtetutë do të vendosë që Kosova është deri te Nishi. Zëvendëskryeministri i Qeverisë serbe, Nebojsha Stefanoviq, iu kundërpërgjigj se “Haradinaj mund ta shohë Nishin vetëm nga Burgu i Nishit”, ndërsa kreu i shtetit serb, Tomisllav Nikoliq, duke mos zgjedhur fjalët, tha se “qeni i çartur duhet të dënohet”, duke përsëritur akuzat e Beogradit kundër Haradinajt për krime lufte. Deklarata e Haradinajt për Kosovën deri te Nishi me siguri se është në llogari për t’i përfituar votuesit para zgjedhjeve të ardhshme, dhe pasoi pas disa muajsh të mbajtjes së tij në Francë sipas urdhër-arrestit të Serbisë. Sido që të jetë, qëndrimi i tillë, si edhe reagimi jodiplomatik, madje edhe fyes i Nikoliqit, vetëm nxitin pasionet dhe e vështirësojnë edhe më tej normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat nuk kanë lëvizur shumë nga pika zero.
MBËSHTETËSIT E BASHKIMIT, PAKICË E MADHE
Gjithë kësaj i parapriu deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se bashkimi i vendit të tij me Kosovën nuk mund të përjashtohet, nëse perspektiva e hyrjes së shteteve të Ballkanit në BE vazhdon të zbehet. Ai tha se bashkimi nuk është dëshirë e tij, por është alternativë e mundshme për dyert e mbyllura të BE-së. Me një ton të ngjashëm u deklarua edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo deklaratë u interpretua kryesisht si presion mbi BE-në për ta përshpejtuar procesin e integrimit, por edhe si transferim i përgjegjësive në Bruksel, sepse vonesa në zgjerim e shpërfaq një ndikim negativ në situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë, natyrisht edhe në gjithë Ballkanin. Komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn, u shpreh se deklaratat e tilla janë kundërproduktive, prandaj mund t’i bëjnë “dështakë” ata që i shprehin ato. Siç thekson Enver Robelli në “Prishtina Insight”, historia e bashkimit është “retorikë boshe” dhe “taktikë e pafuqishme kërcënuese”, me të cilat fshihen problemet e brendshme. Si shembull listohet një numër i raporteve ndërkombëtare për vitin 2017, sipas të cilave gjatë Qeverisë së Ramës kontrabanda me kanabis në Shqipëri është rritur për tri herë. Deklaratat e Ramës dhe të Thaçit duhet të shihen edhe në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Megjithatë, mbështetësit e tyre për bashkim janë pakicë, para së gjithash në Shqipëri. Për këtë opsion angazhohet vetëm “Koalicioni kuqezi” i Kreshnik Spahiut, i cili në zgjedhjet e vitit 2013 mbeti shumë larg pragut, duke fituar vetëm 10’000 vota. Në Kosovë, për bashkim angazhohet vetëm Lëvizja “Vetëvendosje”. Sipas një studimi të kohëve të fundit nga Instituti për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, vetëm nëntë për qind e qytetarëve në Shqipëri vlerëson se bashkimi me Kosovën do të ishte pozitiv. Sipas fjalëve të drejtorit të këtij institucioni, Albert Rakipi, një ndërmarrje e tillë do të ishte e rrezikshme: “Të dyja vendet janë shumë të dobëta, madje Kosova jo e konsoliduar. Të dyja janë mjaft të tronditura nga konfliktet e brendshme politike, nuk janë funksionale dhe kanë standarde të ulëta demokratike. Në rast të bashkimit të tyre, do të krijohej një shtet më i madh, por shumë i dobët, me të cilin ndoshta do të bëhej i pamundur menaxhimi. Të mos e përmendim pastaj integrimin e dy shoqërive shumë të ndryshme, pa marrë parasysh se e flasin të njëjtën gjuhë, gjë që do të shkaktonte tensione të vazhdueshme”. Rakipi thekson se Shqipëria mëton ta luajë një rol më të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare në raport me fuqinë e saj të vërtetë, gjë që na e përkujton kulturën politike nga koha e Enver Hoxhës. Shembull i kësaj është letra kritike e ish-liderit të padiskutueshëm komunist shqiptar drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës përse ata nuk ishin konsultuar me të para vizitës historike të presidentit amerikan Richard Nixon në Pekin. Autoritetet në Beograd i kanë dënuar deklaratat e Ramës dhe të Thaçit, duke paralajmëruar se bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës do të shkaktonte luftë të re ballkanike. “Sikur t’i kisha thënë unë ato që i thonë Rama dhe Thaçi, në Bruksel do të më varnin në ndonjë shtizë në vend të ndonjërit prej flamujve”, është shprehur në mënyrë lakonike Aleksandar Vuçiq. Ai ka vënë në dukje se historia e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës mbetet vetëm në sferën e dëshirave, duke u kërkuar protagonistëve që të mos shfaqen në opinion me këtë, “sepse kjo nuk u kontribuon marrëdhënieve të mira në rajon”. Vuçiq natyrisht përpiqet që me këtë deklaratë, në pamje të parë të matur, të jetë një politikan konstruktiv, duke pasur parasysh damkën e së kaluarës, kur e ka mbështetur opsionin për “Serbinë e Madhe». Në ndërkohë, Moska zyrtare konsideron se është e qartë se kush qëndron prapa idesë për “Shqipërinë e Madhe” dhe se Rama dhe Thaçi e minojnë stabilitetin rajonal “nën ombrellën e NATO-s”. Edhe pse deklaratat e përmendura janë të destinuara kryesisht për qëllime të brendshme politike ditore, ato gradualisht futen në diskursin e temave politike që nuk janë përmendur madje as gjatë luftërave jugosllave të viteve të nëntëdhjeta. Edi Rama foli në mënyrë të ngjashme për “Shqipërinë e Madhe” edhe para dy vjetësh. Edhe pse flet për bashkimin e shqiptarëve në kontekstin e BE-së, kjo sigurisht shkakton mosbesim te popujt tjerë, kryesisht te serbët, por edhe te grekët, maqedonasit dhe malazezët.
NEGOCIATAT E PASINQERTA NDËRMJET BEOGRADIT DHE PRISHTINËS
Gjithashtu, apostrofimi i idesë për “Shqipërinë e Madhe” duhet të shihet si “maja e Ajsbergut”, përkatësisht reflektim i problemeve të akumuluara ende të pazgjidhura në Ballkan, para së gjithash në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Edhe pse në vitin 2013 u arrit një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila u vlerësua si historike, në praktikë pothuajse nuk është bërë asgjë. Edhe ato përparimet e vogla teknike nuk janë bërë si shprehje e vullnetit të mirë nga të dyja anët për normalizim, por para së gjithash si shprehje e nevojës, përkatësisht si parakusht për integrimin europian të Serbisë dhe të Kosovës. Në ndërkohë, kanë mbetur hendeqe të gjera mosbesimi dhe paragjykimi, jo vetëm ndërmjet elitave politike në Beograd dhe Prishtinë, por edhe te një pjesë e konsiderueshme të të dy popujve. Kjo nuk vlen vetëm për pikëpamjet e ndryshme të zgjidhjeve të tyre për çështje nacionale, por edhe për përvojën personale të pjesëtarëve të popujve tjerë. Kështu, sipas hulumtimit të Sreçko Mihajloviqit në fund të viteve të nëntëdhjeta, 55 për qind e serbëve mendonin se shqiptarët i urrejnë popujt tjerë, 46 për qind mendonin se janë të pabesë, ndërsa 37 për qind mendonin se ata ishin të prapambetur. Edhe shqiptarët e kishin një qëndrim të ngjashëm për serbët: 81 për qind e tyre mendonin se ata i urrenin popujt tjerë, 52 për qind mendonin se janë të pabesë, ndërsa 39 për qind mendonin se janë karrieristë. Edhe studimet e mëvonshme e kanë treguar një trend të ngjashëm. Për shembull, sipas një ankete të vitit 2007, studentët serbë pesë herë më me qejf do të preferonin të martoheshin me sllovenët, kroatët apo maqedonasit sesa me shqiptarët. Komunikimi i vërtetë dhe bashkëpunimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është reduktuar vetëm në një oazë, përkatësisht në një përpjekje entuziaste. E gjithë kjo tregon se trashëgimia e vështirë historike ende i rëndon marrëdhëniet ndërmjet dy popujve.
STEREOTIPAT SERBË PËR SHQIPTARËT
Idetë për bashkimin e të gjithë serbëve dhe shqiptarëve shfaqet në shekullin e 19-të, në kohën kur pothuajse të gjithë popujt evropianë, kryesisht nën sundimin e huaj, bëjnë përpjekje për emancipim kombëtar. Megjithatë, historiani Milo Paskar tregon se lëvizja kombëtare shqiptare shfaqet pak më vonë në raport me popujt tjerë të Ballkanit, sepse me pranimin e islamit nga pushteti turk fituan privilegje të caktuara, prandaj, krahas gjuhës, feja e tyre ishte i vetmi indikator i ndërgjegjes nacionale. Qëllimi i Serbisë, e cila ndërkombëtarisht u njoh në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, ishte zgjerimi i territoreve në të cilat jetonin serbët, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila atëbotë ishte nën sundimin turk. Në të njëjtën kohë, edhe shqiptarët që jetonin në të katër vilajetet e Perandorisë Osmane kërkuan çlirimin dhe bashkimin. Vilajeti i Kosovës e përfshinte edhe Sanxhakun, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë Perëndimore me Shkupin, si qendër të saj. Shqiptarët, përveç në veri të Kosovës, ishin shumicë. Veçanërisht ishte e vështirë pozita e pakicës së krishterë, e cila ka qenë e nënshtruar, si nga shtypja e sundimit turk, ashtu edhe nga dhuna e shqiptarëve, gjë që diplomacia e Mbretërisë së Serbisë e përdori për t’i paraqitur si “egërsira” dhe uzurpatorë të tokës serbe. Më i zëshmi në përhapjen e paragjykimeve të tilla ishte kryeministri i atëhershëm i Qeverisë, Vlladan Gjorgjeviq, i cili shqiptarët i përshkruan si “egërsira pa histori”, si “lëkurëkuq europianë që flenë nëpër drurë të ngjitur me bishtin e tyre”. Autoritetet në Beograd kanë konsideruar se shqiptarët janë “inferiorë historikë”, se nuk janë popull por fise ndërluftuese, pa gjuhë dhe fe të përbashkët, prandaj vetëm me përfshirjen e tyre në shtetin serb u mundësua “trajnimi i tyre për jetë të civilizuar”. Në të njëjtën kohë, shumë studiues serbë kanë theksuar se një pjesë e arbanasve kanë origjinë sllave, duke përfshirë edhe Skënderbeun e famshëm, të cilin gjoja e ka lindur “serbja Vojislava”. Një nga stereotipat është se shqiptarët “më me dëshirë janë marrë me plaçkitje sesa me bujqësi”. Njëqind vjet më vonë, një variant modern i këtij stereotipi është se shumë shqiptarë janë “kriminelë dhe trafikantë të drogës”. Në të njëjtën kohë, edhe pse serbët në masë të madhe janë shpërngulur pas Betejës së Kosovës në vitin 1389, veçanërisht në kohën e Arsenije Çarnojeviqit, Serbia e ka theksuar të drejtën e saj historike për Kosovën si qendër dhe “djep” i shtetit të vet mesjetar.
SHKODRA, “PJESË MUSHKËRORE E SERBISË”
Udhëheqësit e lëvizjes shqiptare në vitin 1910 e fillojnë një seri të kryengritjeve kundër Qeverisë turke, duke kërkuar formimin e Shqipërisë autonome. Qeveria e re turke në fillin e refuzoi këtë, por pasi kryengritësit e morën Shkupin dhe arritën deri në Selanik, në fund i pranuan kërkesat e tyre. Megjithatë, fqinjët – Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi – këtë e përjetuan si krijim të “Shqipërisë së Madhe”, e cila do t’i rrezikonte interesat e tyre, duke marrë parasysh se në territorin e tyre kanë jetuar edhe pjesëtarë të popujve të tjerë që kanë pretenduar në të drejtën për ato territore. Kjo e përshpejtoi vendimin e tyre për luftë kundër Turqisë, me qëllim dëbimin e saj nga Ballkani. Udhëheqësit shqiptarë, megjithatë, vendosën ta mbrojnë territorin që e konsideronin të tyre, duke luftuar në anën e Turqisë. Kështu, në vitin 1912 filloi Lufta e Parë Ballkanike, me të cilën Turqia u dëbua nga kjo zonë, ndërsa katër vendet e Ballkanit i ndanë pothuajse njëjtë të gjitha zonat në të cilat ajo kishte mbizotëruar. Ushtria serbe hyri edhe në Shqipëri, gjë të cilën historianët e saj e cilësuan si “pushtimi i parë”. Vetëm pas ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha, ushtria serbe u detyrua të tërhiqet. Siç thekson historiani Vladan Jovanoviq, diplomacia serbe është përpjekur pa sukses ta bindë Europën sesi shqiptarët nuk janë qytetarë të civilizuar që ta kenë edhe shtetin e tyre, dhe se me tërheqjen e kufijve të Shqipërisë, Serbisë iu mbyll njëra nga “linjat jetësore të zhvillimit”, ndërsa “nevojën antietnografike” të daljes së Serbisë në Adriatik nëpërmjet Shqipërisë është përpjekur ta dëshmojë edhe gjeografi Jovan Cvijiq, meqë Selaniku dhe Shkodra ishin emërtuar si “pjesë mushkërore të Serbisë, pa të cilat ekonomia e saj nuk do të jetë në gjendje të marrë frymë”.
TUCOVIQ: DUHET TË VUAJMË PËR KRIMET KUNDËR SHQIPTARËVE
Pas dy luftërave ballkanike, Serbia i aneksoi Sanxhakun, Maqedoninë dhe Kosovën. Aneksimin e Kosovës diplomacia serbe e paraqiti si një çlirim nga turqit, edhe pse ky ishte problem në konferencat ndërkombëtare, sepse serbët nuk ishin shumicë. Në bisedimet e paqes në Londër, Serbia nuk u kënaq vetëm me veriun e Kosovës, për ç’gjë, për ironi të fatit, siç thekson Damir Pavlica, “do të luten njëqind vjet më vonë”. Gjatë luftërave ballkanike janë kryer krime të tmerrshme, për të cila është shkruar edhe në raportin e komisionit ndërkombëtar. Në opinionin serb atëherë ishte aktuale “hakmarrja për vitin 1389”, e cila u bart nga turqit te shqiptarët. Njëri nga kritikët e rrallë të atëhershëm të politikës serbe, socialdemokrati Dimitrije Tucoviq, tërhoqi vërejtjen se “ndodhi përpjekja për vrasjen me paramendim të një kombi të tërë”, gjë që është “vepër kriminale”, për të cilën “duhet të vuajmë”. Ai e kundërshtoi zgjerimin territorial të Serbisë dhe u angazhua që Kosova e barabartë me Serbinë dhe zonat tjera të hyjë në federatën ballkanike. Tucoviq ka theksuar se në qoftë se dikush i ka pasur kushtet për një marrëveshje me shqiptarët, ato ishin Mali Zi dhe Serbia: “Jo vetëm vendbanimet e përziera dhe ngjashmëria e fiseve fqinje, por gjithashtu edhe reciprociteti i interesave i kanë orientuar të dy popujt në marrëveshje dhe marrëdhënie miqësore. Ashtu sikur rruga për në Detin Adriatik thjesht shkon nëpërmjet fshatrave shqiptare, ashtu edhe lidhjet e shqiptarëve me brendinë e gadishullit shkojnë përgjatë kufirit me Serbinë. Siç kemi ne nevojë për det, aq më tepër ata kanë nevojë për tokë”.
SHPËRNGULJA E DHUNSHME E SHQIPTARËVE NDËRMJET DY LUFTËRAVE
Autoritetet serbe kanë bërë përpjekje që ta ndryshojnë strukturën etnike në Kosovë. Deri më 1941 janë vendosur rreth 60’000 kolonë nëpër pronat e konfiskuara, kryesisht nga shqiptarët. Me masa të tilla u nxit urrejtja, e cila shkaktoi pasoja shkatërruese dhe afatgjata në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Në të njëjtën kohë, popullsia shqiptare u dëbua me dhunë. Nga viti 1919 deri më 1940 për në Turqi u shpërngulën 215’000 shqiptarë. Megjithatë, autoritetet në Beograd vlerësuan se kolonizimi gradual i Kosovës nuk i jepte rezultatet e pritshme. Prandaj, akademiku Vaso Çubriloviq e krijoi projektin e zgjidhjes së shpejtë të “problemit shqiptar” me spastrimin etnik të Kosovës, duke i përshkruar vendbanimet shqiptare si një “pykë e futur thellë në vendin tonë». Qeveria turke, ndër të tjera, në vitin 1936 e nënshkroi Marrëveshjen për pranimin e 200’000 shqiptarëve, por që nuk u realizua për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Në ndërkohë, Ivo Andriq, si ambasador në Berlin, më 1939 e bëri planin e ndarjes së Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Ai besonte se asimilimi dhe emigrimi i shqiptarëve do të bëhen më lehtë pas mosekzistimit të Shqipërisë si vend.
KRIMET KUNDËR SERBËVE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Ashtu siç ka ndodhur disa herë në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare, lavjerrësi lëviz me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Italianët në Kosovë priten si çlirimtarë, dhe fillon përndjekja mizore e serbëve, kryesisht e kolonëve. “Duhet të përpiqemi që popullata serbe në Kosovë sa më shpejt të zhvendoset… Kolonët serbë duhet të vriten”, urdhëroi më 1942 kryeministri i Shqipërisë së pushtuar, Mustafa Kruja. Shqiptarët e Kosovës nuk morën pjesë masivisht në lëvizjen partizane, veçanërisht në fillim të luftës, për shkak se ishin kundër ripërtëritjes së “Nga kjo mund të shpjegohet fakti tragjik se një numër i madh shqiptarësh të Kosovës e kuptuan pushtimin e Ballkanit nga trupat e Gjermanisë naziste si një lloj fitoreje, pasi ata shpresonin se kjo do të mundësonte krijimin e unitetit kombëtar në kuadër të asaj që sot e asaj dite njihet si koncept i frikshëm “, thotë analisti Beqë Cufaj. Kah përfundimi i luftës, lëvizjes partizane i bashkohen gjithnjë e më shumë shqiptarë. Në fillim të vitit 1944, Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës e sjell vendimin për bashkëngjitjen e Kosovës Shqipërisë. Megjithatë, kjo nuk realizohet dhe me hyrjen e partizanëve jugosllavë në Kosovë në dhjetor të vitit 1944 nis kryengritja masive e shqiptarëve, të cilët e përjetojnë këtë si një okupim të ri. Titoja dërgon forca shtesë për ta shtypur “kryengritjen balliste”. Është interesant se edhe Enver Hoxha i dërgon dy brigada për t’i ndihmuar njësitë e Titos. Instalohet administrata ushtarake, ndalohet përkohësisht kthimi i kolonëve serbë. Pas luftës, shqyrtohet mundësia e krijimit të një “federate ballkanike”, në mënyrë që Jugosllavisë t’i bashkohen Bullgaria dhe Shqipëria. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e tij se Tito i kishte thënë në Beograd se e kupton dëshirën e shqiptarëve për unifikimin e hapësirës etnike, por se kjo “nuk mund të arrihet për shkak se serbët nuk do ta kuptojnë këtë”. Megjithatë, pas Rezolutës së Kominternës më 1948, Jugosllavia dhe Shqipëria i përkeqësojnë marrëdhëniet. Pjesa tjetër është histori. Represionet e policisë nën kontrollin e Aleksandar Rankoviqit kundër shqiptarëve, pastaj revolta e tyre në vitet e gjashtëdhjeta dhe në fillim të viteve të tetëdhjetave, më shumë të drejta për Kosovën sipas Kushtetutës së vitit 1974, heqja e autonomisë në vitin 1989, shpërngulja e pjesërishme e serbëve nën presion në vitet e tetëdhjeta, terrori kundër shqiptarëve në të nëntëdhjetat, ndërhyrja e NATO-s, përndjekja e serbëve. Roli i shtypësit dhe i viktimave kanë ndryshuar, por asnjëri nga këto role nuk u ka sjellë të mira as serbëve, as shqiptarëve.
PËRSHKIMI I KUJTIMEVE HISTORIKE
Dyshimet ndaj njëri-tjetrit e bllokojnë jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve, por edhe normalizimin dhe demokratizimin e shoqërive të tyre, kështu që Kosova ende shërben si një justifikim për të hequr dorë nga ndryshimet e nevojshme në Serbi, ndërsa në Prishtinë qëllimet e Beogradit merren si mbulesë për mungesën e reformave në Kosovë. Për fillim, serbët dhe shqiptarët duhet ta kujtojnë se gjatë gjithë historisë nuk janë urryer dhe përleshur gjithmonë, por se e kanë bërë edhe një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, dhe se shqiptarët i kanë mbrojtur manastiret serbe nga sulmet turke. Gadishulli Ballkanik është një përzierje nacionale dhe përshkohet me kujtime historike, ka thënë Dimitrije Tucoviq. Megjithatë, këto kujtime ende e shtrydhin realitetin e zymtë ballkanik. “Nëse ka realitet politik në Ballkan, është domosdoshmëria e bashkësive të popujve ballkanikë. Ndarja nuk është e mundur, e të mos shkelet parimi nacional, të mos rrezikohet mbijetesa e shtetit, të mos lëndohen interesat reale ekonomike dhe të drejtat e mbijetuara të krenarisë historike”, fliste si një profet Tucoviq. E vetmja mënyrë që serbët dhe shqiptarët të dalin nga rrethi vicioz i konfliktit dhe dyshimit është që ata ta kuptojnë se gjeografia është fat, përkatësisht se ajo nuk është vetëm një domosdoshmëri për të jetuar pranë njëri-tjetrit, por edhe mundësi për të jetuar me njëri-tjetrin, prandaj mençuria dhe vitaliteti i një populli nuk matet vetëm nëpërmjet realizimit të interesave të tij në kurriz të të tjerëve, por duke lejuar që edhe popujt fqinjë t’i realizojnë interesat e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë paqe dhe prosperitet në Ballkan. Vetëm atëherë emrat nënçmues “shqiptar” dhe “shka” do të kenë kuptim kryekëput folklorik. ((Radio Evropa e Lirë)