Prishtinë, 29 dhjetor – Aksidentet e shumta me fatalitet në Kosovë kanë krijuar një gjendje të jashtëzakonshme në komunikacionin rrugor, thonë autoritetet e rendit. Nga numri i madh i aksidenteve gjatë periudhës janar- nëntor, 119 veta kanë humbur jetën si pasojë e tyre. Këto shifra shënojnë rritje mbi 22 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kështu kanë thënë autoritetet e rendit, sipas të cilëve 5816 persona kanë pësuar lëndime trupore në aksidente komunikacioni. Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se autoritete e rendit, referuar situatës së krijuar që po përcillet me humbje të jetëve të njerëzve në trafik, kohë më parë ka marrë masa shtesë me krijimin e një task force, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore.