Tetovë, 26 janar – Mbi 100 qytetarë të Tetovës dhe rrethinës kanë kërkuar ndihmë në Repartin e ortopedisë për shkak të thyerjes së gjymtyrëve, si pasojë e rrëshqitjes në trotuare dhe oborret para shtëpive, shkruan gazeta KOHA. Kështu thonë nga ky repart, duke bërë me dije se kjo situatë është prezent që kur u paraqitën ngricat. “Që kur kanë filluar reshjet e borës në qytetin tonë, është rritur në mënyrë drastike numri i personave që vijnë në repartin tonë. Për një muaj janë pranuar mbi 100 pacientë me thyerje të ndryshme të gjymtyrëve. Më shumë pacientë ka me këmbë dhe krah të thyer, por edhe probleme tjera. Më shumë pacientë kemi pasur të moshës së vogël, gjegjësisht fëmijë, por nuk kanë munguar edhe të rriturit”, thotë për KOHA, Mirosllav Koçovski, kryeshef i Repartit të ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës. Nga ky repart apelojnë që qytetarët të mos dalin pa nevojë jashtë në këtë kohë, por t qëndrojnë brenda në shtëpitë e tyre.
“Reparti i ortopedisë në Spitalin e Tetovës, është në shërbim të pacientëve 24 orë dhe ka edhe teknikën e nevojshme dhe kuadër për t’u përballur me këtë situatë. Shumica e pacientëve më shpesh lëndimet i marrin në oborret dhe përreth, por nuk mungojnë rastet e lëndimeve edhe në trotuare”, tha Koçovski. Ndryshe, në qytetin e Tetovës pjesërisht janë të pastruar trotuaret dhe me këtë rast qytetarët apelojnë që të njëjtat të pastrohen, sidomos në pjesën qendrore, që të mos vijnë deri tek lëndimet e ndryshme. (U.H)