Sipas ekspertëve, menaxhimi jo i mirë dhe mungesa e përgjegjësisë nga ana e udhëheqësve të këtyre kompanive për vite me radhë renditen ndër shkaqet kryesore pse një pjesë e madhe e tyre kanë rezultate financiare jo për t’u lëvduar
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 shkurt – Ndërmarrjet në pronësi të shtetit apo komunave kanë borxh më të madh se 100 milion euro, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, të ardhurat e tyre janë zvogëluar për bile35 për qind në katër vitet e kaluara tregojnë analizat e Qendrës për Komunikime Qytetare. Gjithashtu kompanitë që janë themeluar nga qeveria, apo vetëqeverisjet lokale jo vetëm që nuk menaxhojnë si duhet të hollat e qytetarëve apo të hollat publike por shënojnë edhe mbi punësime. Të dhënat e Avokatit të Popullit tregojnë se në vitin 2007 në këto ndërmarrje kanë qenë të punësuar 8.299 njerëz, ndërsa dhjetë vite më vonë ato punësojnë 17.872 njerëz, shkruan gazeta KOHA.
Njëherësh opinioni publik pak di se si dhe në çfarë mënyrë punojnë kompanitë shtetërore për shkak se mungon llogaridhënia më e madhe për punën e tyre. Ekspertët ekonomik thonë se këto ndërmarrje i vendosin në mënyrë jo të barabartë në treg , kompanitë e tjera në pronësi private për shkak se ato me vite nuk paguajnë me rregull detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe kompanive të tjera, shpesh ju falen borxhet, si dhe nuk ju bllokohen llogaritë për dallim prej kompanive private. Sipas profesorit universitar Borçe Trenovski, mungesa e përgjegjësisë nga ana e udhëheqësve të këtyre kompanive për vite me radhë renditen ndër shkaqet kryesore pse një pjesë jo e vogël e tyre kanë rezultate financiare jo për të u lëvduar.
“Shteti nuk po tregohet si një pronar i mirë i këtyre ndërmarrjeve, ku praktika po tregon se kemi edhe të tilla që edhe pse të formuara janë të panevojshme një pjesë e tyre kanë tepricë të të punësuarve, si dhe kemi punësime të reja pas zgjedhjeve apo pas ndërrimit të partive në pushtet. Njëherazi shpesh ato nuk dallohen edhe me një menaxhim të mirë”, shton ai. Sipas tij, shteti nevojitet të ndërmerr reforma më serioze në këtë drejtim duke vendosur profesionistë në krye të tyre , duke kërkuar jo vetëm edhe rezultate konkrete nga puna tyre , por edhe përgjegjësi për dështimet.
Ekspertët e tjerë ekonomik gjithashtu kërkojnë një vëmendje më të madhe të shteti ndaj punës së tyre “ Shteti duhet të ndjekë se si harxhohet kapitali që ai e posedon, ndërsa parimet e efikasitetit, ekonomizimit, dhe transparencës duhet të jenë kryesoret në menaxhimin e ndërmarrjeve publike”, thotë profesori universitar, Jovan Pejkovski. Në ndërkohë, edhe analizat e ndryshme tregojnë se ndërmarrjet publike duhet të kenë më shumë kujdes me harxhimin e të hollave publike për shkak se në këtë mënyrë po kontribuojnë për kënaqësinë apo pakënaqësinë e qytetarëve më shërbimet publike. Njohësit e kësaj problematike thonë se përgjegjës për paratë publike me të cilat disponojnë ndërmarrjet publike janë drejtorët dhe anëtarët e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës që duhet të orientojnë dhe kontrollojnë punën e saj.
Mirëpo, hulumtimi i Institutit për Demokraci i realizuar në vitin 2018 dhe 2019, ka treguar mungesë të përvojës përkatëse tek këto dy struktura. Pra, hulumtimi ka treguar se 43 për qind e anëtarëve të këshillave drejtues nuk kanë pasur përvojë nga fusha përkatëse, ndërsa vetëm 28 për qind e anëtarëve të këshillave mbikëqyrës janë ekonomistë apo juristë që kanë njohuri të nevojshme arsimore për kontrollin përkatës ndaj punës materiale dhe financiare. Analizat tregojnë mungesa në procesin e emërimit në pozita udhëheqëse si principe të paqarta të përgjithshme së përzgjedhjes, ndjekje jo parimore të procedurave dhe favorizimin e arsimit përkundër përvojës. Nga atje rekomandojnë , rritjen e kritereve për përzgjedhje në strukturat udhëheqëse me fokus ndaj përvojës, vendosjen e procedurës transparente për paraqitjen dhe zgjedhjen me përfshirjen e opinionit, si dhe kontrollin e implementimit të politikave për përfaqësimit të drejtë dhe adekuat së bashku me atë gjinor. (koha.mk)