Ligji kështu si është miratuar, thotë deputetja Mirsada Emini-Asani, ja ka shumë paqartësi, sidomos kur borxhi bazë kalon në duart e përmbaruesve
Zejnulla VESELI
Shkup, 25 shtator – Përfundimisht me muajin gusht të këtij vit, mbi 75 mijë kryefamiljarë kanë vështirësi për t’ju siguruar bukën e gojës familjarëve të tyre. Kjo pasi përmbaruesit kanë bllokuar llogaritë bankare transakcionale të këtyre qytetarëve për mos pagesë në kohë të faturave energjetike, ujit, mbeturinave, taksës radiodifuzive, si dhe faturave të papaguara ndaj operatorëve për dhënien e shërbimeve telefonike, shkruan gazeta KOHA.
Pikërisht për këtë, deputeti rom Samka Ibraimoski ka kërkuar nga deputeti Panço Minov, propozues i Ligjit të ri për fshirjen e kamatave për të gjitha borxhet e mbetura, që qytetarët për shkak të gjendjes së rëndë financiare që kanë, të paguajnë vetëm borxhin bazë të mbetur dhe jo edhe kamatat dhe shpenzimet enorme të përmbaruesve. Madje, Ibraimovski i ka kërkuar Minovit ta tërheq ta tërheq propozimin dhe të përpunohet nga fillimi, duke i marrë parasysh edhe propozimet e reja lidhur me këtë ligj.
“Është mirë të tërhiqet Ligji për fshirjen e kamatave për borxhet e qytetarëve, sepse është tepër shqetësues fakti se 100.000 qytetarëve i kanë të bllokuara llogaritë bankare nga përmbaruesit dhe për këtë, familjarët me vite vuajnë për bukën e gojës. Në të shumtën e rasteve, qytetarët po mbeten pa rrogat mujore, pensionet apo ndihmat sociale…”, është shprehur Ibraimovski.
Edhe deputetja e BDI-së, anëtare Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale, Mirsade Emine-Asani, është e mendimit se Ligji i cili tanimë është miratuar nga anëtarët e Komisionit, ka nevojë të ndryshohet, ndërsa kërkoi që kjo të bëhet pasi të formohet Komisioni i posaçëm që do të zbatojë Ligjin e ri.
“Propozimi-ligj për shlyerjen e kamatave për borxhet e qytetarëve ka kaluar edhe pse ndoshta duhet të plotësohej dhe të pranoheshin vërejtjet e shumë anëtarëve. Për shkak se kemi raste kur personi është larguar nga puna për shkak se firma ku ai ka punuar ka falimentuar dha ai tani si i papunë, nuk ka mundësi financiare për të paguar borxhin e mbetur. Në të ardhmen, duhet në Ligjin e ri të futet edhe neni plotësues ku këtyre personave të mos mundet as përmbaruesi apo as ndonjë institucion tjetër t’ju bllokon llogaritë bankare derisa këta persona nuk gjejnë punë të re”, ka thënë deputetja Emini-Asani.
Ligji kështu si është miratuar, thotë ajo, ka shumë paqartësi kështu që Komisioni i cili do të formohet për zbatimin e ligjit, do të duhet t’i këtë parasysh edhe vërejtjet anëtarëve të Komisionit.
“Meqë ne si anëtarë të Komisionit e kemi marrë për obligim t’i ndihmojmë qytetarët, atëherë le të përfshihen të gjithë kategoritë e personave që kanë gjendje të vështirë familjare, pasi ka raste kur borxhi bazë prej 1000 denarëve, kur kalon në duart e përmbaruesve, rritet në 30.000 mijë denarë. Kjo është e patolerueshme, sepse nëse dikush në Maqedoni ka fituar shumë para, janë pikërisht përmbaruesit, të cilët aspak nuk kanë pasur mëshirë ndaj qytetarëve”, thotë deputetja Mirsada Emini-Asani.
Ligji i cili u pranua nga deputetët parasheh që borxhet e mbetura deri në fund të vitit 2011 e për të cilët udhëhiqet lëndë përmbarimi nga përmbaruesit për faturat e mbetura të papaguara për energji elektrike, ujit, mbeturinave, taksës radiodifuzive, si dhe faturave të papaguara ndaj operatorëve për dhënien e shërbimeve telefonike, qytetarët të paguajnë vetëm borxhin bazë të mbetur, por jo edhe kamatat. Njëherësh, propozues i Ligjit, deputeti Pançe Minov kërkon që Ligji t’i detyrojë Këshillat drejtues të kompanive për borxhet të informojnë qytetarët përmes shpalljeve në ndonjë nga gazetat ditore.
“Shpallja të jetë edhe në gjuhën maqedonase dhe në gjuhen shqipe dhe ti informojnë qytetarët se do të fillohet me shlyerjen e kamatave për borxhet e mbetura. Gjithashtu, në mënyrë plotësuese duhet të zvogëlohen edhe harxhimet procedurale. Ato janë shpenzimet e noterëve, avokatëve dhe përmbaruesve. Gjithashtu, në të ardhmen përmbaruesit nuk do të kenë të drejtë t’ju bllokojnë një të tretën e rrogës, por kjo do të jetë një e katërta e rrogës”, thotë deputeti Minov. (koha.mk)