Urim HASIPI
Tetovë, 10 mars – Kanë kaluar dhjetë vite që kur Tetova ishte ngulfatur nga mbeturinat, pasi që të njëjtat ishin grumbulluar afër stacionit hekurudhor në Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Pothuajse që atëherë e këndej problemi me mbeturinat e përkohshme shfaqet kohë pas kohe. Në këtë drejtim janë edhe shqetësimet e shoqatave joqeveritare, të cilët kërkojnë që ky problem të zgjidhjet urgjentisht. Kësisoj, nën organizim të Shoqatës Ekologjike “Eco Guerilla“, në bashkëpunim me Parlamentin studentor të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, është organizuar panel diskutimi ku nga ekspertë të mjedisit jetësor është diskutuar çështja e mbeturinave dhe deponive pa standard në Tetovë, si dhe si mund të gjendet një zgjidhje më efikase dhe afatgjate për problemin e deponive në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.
Vesel Qazimi nga Shoqata Ekologjike “Eco Guerilla”, deklaroi se kjo shoqatë në vazhdimësi kanë kërkuar nga Komuna e Tetovës zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, duke ofruar edhe propozime dhe sugjerime për një zgjidhje afatgjate. “Deponitë në Pollog janë pa standarde, të njëjtat janë pjesë e ndotjes, prandaj edhe kemi marrë aktivitete për të gjetur zgjidhje rreth problemit me mbeturinat. Mbeturinat vazhdojnë të jenë të hyrje e Tetovës. Nuk është punuar aspak në këtë drejtim dhe të njëjtat duhet urgjentisht të largohen, kurse më pas autoritetet duhet të mendojnë dhe zgjidhje tjera për përpunimin e të njëjtave, sepse në shtetet tjera mbeturinat riciklohen dhe nga ato kanë përfitime, kurse tek ne jo që nuk përpunohen, por edhe e ndotin ajrin. Pas kësaj ne do të vazhdojmë me aktivitete për problemet tjera, siç janë mungesa e transportit urban, problemi i ngrohjes së qytetarëve, pasi që qytetarët nuk kanë alternative tjera për të shfrytëzuar dhe ngrohen me dru”, tha Qazimi.
Në ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes publike komunale, Xhelal Ceka, pjesëmarrës në këtë debat, tha se nga java e ardhshme do të fillojë të ndërtohet faza e parë e stacionit për riciklimin e mbeturinave në Tetovë, pasi që tanimë projekti është tenderuar dhe kjo, sipas tij, nënkupton një zgjidhje afatgjate të problemit të mbeturinave në Tetovë, si dhe zvogëlim të shpenzimeve të Ndërmarrjes publike komunale Tetova-Tetovë për transportimin e mbeturinave në deponitë Rusino dhe Drislla në Shkup.
“Problem në vete ishte bllokada për dërgimin e mbeturinave në Rusino, ndërsa ne paralelisht kemi punuar në dy zgjidhje të kësaj problematike. Njëra është zgjidhje afatshkurtër dhe tjetra afatgjate. Tashmë kanë përfunduar të gjitha proceset e tenderimit. Është shpallë firma fituese dhe javën tjetër do të fillohet me ndërtimin e të ashtuquajturës halla e mbeturinave, ku me rebalancin e buxhetin, për këtë u ndanë 30 milionë denarë dhe kjo si fazë e parë do të zgjasë diku rreth tre muaj, ndërsa faza e dytë do të jetë sjellja e makinerisë të cilët do të riciklojnë mbeturinat”, tha Ceka. Nga kjo ndërmarrje nënvizojnë se me ndërtimin e stacionit për riciklim do të ketë efekte pozitive për vet ndërmarrjen. “Me këtë do të kemi edhe beneficone si ndërmarrje, pasi që do zvogëlohen të dhënat për transport, pasi që edhe ndërmarrja vite me radhë përballet me këtë problem, ndërsa po ashtu fitim do të ketë edhe ndërmarrja nga riciklimi i mbeturinave. Kjo do të sjellë më shumë të hyra pas një kohe të gjatë për ndërmarrjen. Po ashtu, në këtë drejtim si zgjidhje afatshkurtër është vendosja e kontejnerëve ku do të grumbullohen mbeturinat dhe të njëjtat të mos dërgohen në Stacionin për ngarkim – shkarkim në Tetovë”, deklaroi Ceka.
Në këtë panel diskutim u nënvizua se edhe rajonet tjera në Maqedoni kanë probleme të njëjta me deponitë e egra dhe zgjidhja shihet te ndërtimi i deponive të mëdha rajonale, ndërsa krahas kësaj, të njëjtat do të mund edhe të shfrytëzoheshin edhe për qëllime të tjera. Ndryshe, në rajonin e Pollogut vite më parë dështoi tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale që shihej si zgjidhje për të gjitha komunat në këtë rajon. Që atëherë e këndej akoma nuk ka asnjë iniciativë konkrete për ndërtimin e deponisë rajonale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.