Urim HASIPI
Tetovë, 29 mars – Në hyrje të qytetit, më saktësisht në pjesën e urës, është hedhur një sasi e madhe mbeturinash nga më të ndryshmet, që për pasojë kanë shkaktuar një deponi të vogël, shkruan gazeta KOHA. Në këtë vend tashmë kundërmon erë e rëndë dhe e keqe e padurueshme, ndërsa nuk mungojnë edhe qen të ngordhur. Kjo ka bërë që të reagojnë nga Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” nga ku thonë se hedhja e mbeturinave vend e pa vend, është një dukuri e shëmtuar për të cilën nevojitet të gjendet një zgjidhje efikase e këtij problemi, me të cilin tanimë për një kohë të gjatë po përballet qyteti i Tetovës me qëllim që mbeturinat të mos hidhen në vende të papërshtatshme.
“Është dukuri mjaft e shëmtuar dhe të hedhen mbeturina në mbikalimin në hyrje të Tetovës, është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme. Kjo pasi që nga reshjet të njëjtat mund të lëshojnë lëngje të cilët pikojnë poshtë në rrugë dhe veturat i bartin me vete. Këtu kemi afër edhe një çerdhe për fëmijë, edhe tregu është afër dhe nuk dihet se çfarë bakteresh mund të shpëndahen. Kemi marrë premtim dhe shpresë nga drejtori i NPK-së se do të rregullohet kjo problematikë dhe Tetova, njëherë e përgjithmonë do të pastrohet nga këto mbeturina të turpshme. Nuk dihet se kush i hedh këtu, por kjo është një gjendje alarmante”, tha për KOHA, Arjanit Xhaferi, nga Lëvizja “Eco Guerilla”. Ai më tej njoftoi se është në kontakte me autoritetet e komunës për të zgjidhur këtë problem. “Me fuqitë tona si organizatë bëjmë presion që këto probleme të mbyllen. Kemi edhe kontakte me autoritetet e komunës, por edhe me NPK-në, ndodh që ata mos kenë informacione për vend ndodhjen e mini deponive në qytet apo përreth. Qytetarët na dërgojnë foto apo material të këtyre deponive dhe pastaj ne komunikojmë me autoritetet e komunës. Aktivitetet e ardhshme do të jenë në senzibilizimin e popullatës për këtë çështje. Kemi punuar shumë për çështjen e ajrit, ndërsa besojmë se edhe me këtë problematikë do të përballemi me të gjitha mundësitë tona”, deklaroi Xhaferi.
Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova Tetovë, më saktësisht nga Higjiena Komunale thonë se këto mbeturinat në pjesën e urës, në hyrje të qytetit, nuk janë hedhur nga ana e tyre, por nga persona të papërgjegjshëm, të cilët këtë e kanë kryer gjatë orëve të natës. Nga ndërmarrja publike komunale gjithashtu njoftuan se janë marrë masa, gjegjësisht rasti është paraqitur edhe në inspektoratin komunal për mjedis jetësor, një pjesë e mbeturinave në fjalë është transportuar nga ana e ndërmarrjes, dhe gjatë ditës pritet që kjo hapësirë ku janë hedhur këto mbeturina të pastrohet në tërësi dhe mbeturinat fillimisht të barten në pikën e ngarkim shkarkimit dhe më pas të barten në deponinë Drislla në Shkup.
Ndryshe problemi i grumbullimit të mbeturinave në pikën e ngarkim shkarkimit dhe hedhjes së tyre në vende të ndryshme të qytetit është si pasojë e bllokimit të rrugës për në deponinë regjionale në Rusino nga ana e banorëve të këtij rajoni nga data 22 maj e vitit 2016 nënvizojnë nga Ndërmarrja publike komunale Tetova – Tetovë, nga ku thonë se lokacioni i ngarkim shkarkimit është pastruar mbi 80 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara