Nga ndërmarrja publike kanë njoftuar qytetarët se hedhja e mbeturinave inerte mund të bëhet te stacioni i ri i ngarkim-shkarkimit, rruga Tetovë-Trebosh. Megjithatë, krahas kësaj, tashmë disa vite është krijuar edhe shprehi që mbeturinat e këtilla të hidhen edhe në vende periferike
Urim HASIPI
Tetovë, 20 mars – Qytetarët gjatë ndërtimeve, ndërrimit të mobileve apo pastrimeve nëpër pronat e tyre, mbetjet i nxjerrin pranë kontejnerëve në mungesë të një deponie të veçantë për këtë dedikim, shkruan gazeta KOHA. Në shumë pika grumbullimi të mbeturinave në qytet, qytetarët bashkë me mbeturinat e amvisërive i hedhin të njëjtat nëpër vende publike dhe trotuare. Pamjet e këtilla tashmë qarkullojnë në rrjetet sociale që ka publikuar ndërmarrja publike komunale e komunës së Tetovës, e cila apelon që qytetarët të kenë kujdes.
“Ndërmarrja publike komunale ‘Tetova’ Tetovë vazhdimisht bën thirrje deri tek qytetarët që të kenë më shumë kujdes dhe të mos bëjnë hedhjen e mbeturinave të ngurta, si orendive shtëpiake, sanitarive të ndryshme, materialeve ndërtimore, degëve nga pemët e ndryshme në vendet ku hedhja e tyre është e ndaluar, sepse përveç se ndot ambientin, shkakton defekte në makineri, dëmton kontejnerët dhe pamundëson bartjen e mbeturinave tjera”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë.
Nga kjo ndërmarrje kanë njoftuar qytetarët se hedhja e mbeturinave të lartpërmendura mund të bëhet te stacioni i ri i ngarkim-shkarkimit, rruga Tetovë-Trebosh. Krahas kësaj, tashmë disa vite është krijuar edhe shprehi që mbeturinat e këtilla të hidhen edhe në vende periferike. Në Komunën e Tetovës theksojnë se zgjidhje më e mirë është që të ketë një deponi të përbashkët për të gjithë komunat, ku do të hidheshin mbeturinat e materialeve ndërtimore. Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova -Tetovë thonë se janë në hall me këtë dukuri, sepse materialet ndërtimore hidhen në vendet tek mbeturinat e zakonshme dhe me këtë edhe dëmtohen kontejnerët, por edhe haset në vështirësi gjatë transportit. Drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka, ka apeluar deri tek qytetarët që të kenë kujdes me deponimin e materialeve të forta ndërtimore, të mos i hedhin ato në kontejnerë pasi kjo ndërmarrje nuk është e obliguar të dislokojë këto mbeturina. Sipas tij, kjo ndërmarrje ballafaqohet me dukurinë e krijimit të deponive të egra në pjesë të ndryshme të qytetit.
“Kërkojmë nga qytetarët të hedhin në vende adekuate mbeturinat e forta ndërtimore, në të kundërtën Inspektorati komunal i Tetovës do të marrë masa sanksionuese kundrejt të gjithë atyre që hedhin mbeturinat e ngurta në vende joadekuate”, tha ai. Nga ana tjetër, shumica e komunave të Pollogut nuk kanë deponi të veçanta për hedhjen e mbeturinave nga materialet ndërtimore. Madje, lokacion të veçantë nuk ka as Komuna e Tetovës.
Krahas mbeturinave që janë hedhur në kontejner, këto mbetje inerte të tjera janë hedhur poshtë kontejnerëve duke dhënë imazh të keq edhe për këtë pjesë të qytetit, por edhe duke kundërmuar erë e rëndë. Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova -Tetovë pohojnë se shpesh herë kompanitë e ndërtimit mbeturinat i dërgojnë në stacionet e ngarkim – shkarkimit, dhe pastaj shkaktojnë telashe gjatë transportit të hedhurinave tjera që bart kjo ndërmarrje nga amvisëritë e qytetit. Në mungesë të deponisë përkatëse për hedhje të mbeturinave ndërtimore, në Tetovë dhe në rrethinë këta mbeturina hidhen në deponi të egra. Në shumë raste këto mbeturina i hedhin edhe nëpër prona private. (koha.mk)