Ajo që është pozitive në këtë periudhë është se nuk është regjistruar asnjë rast i ndezjes së kontejnerëve, kjo për pasojë të orës policore dhe ndalimit të lëvizjeve gjatë orës të natës
Urim HASIPI
Tetovë, 23 maj – Krahas shumë dukurive jo të zakonshme në Tetovë, edhe djegia e mbeturinave në kontejnerë, viteve të fundit është shndërruar në një problem shqetësues për autoritetet komunale. Kjo dukuri ndodh zakonisht gjatë orëve të natës, kur persona të panjohura djegin mbeturinat që janë në kontejnerë, ashtu duke krijuar shumë probleme. Apelet e drejtuesve të kësaj ndërmarrje deri tek qytetarët apo individët që të mos djegin kontejnerë kanë hasur në vesh të shurdhër. Problemi qëndron se ndonjëherë hidhen edhe mjete që lehtë mund të shkaktojnë zjarr, por ndodh që edhe me qëllim të ndizen mbeturinat. “Ne si ndërmarrje kemi bërë thirrje në të kaluarën si dhe tani tek qytetarët që të kenë më shumë kujdes gjatë hedhjes së mbeturinave nëpër kontejnerë. Të mos hidhen mjete shpërthyese dhe cigare në to sepse përveç se vështirësojnë punët e ndërmarrjes publike, i rrezikojnë edhe kalimtarët e rastit dhe shkaktojnë dëme të tjera materiale. Por si duket apelet tona nuk merren seriozisht nga ana e qytetarëve” thonë në Ndërmarrjen publike komunale Tetova – Tetovë.
Krahas dëmtimit të kontejnerëve po ashtu aktivizohet edhe njësia e zjarrfikësve. Dëmin material e pëson Ndërmarrja publike komunale Tetova -Tetovë e cila duhet që të zëvendësojë kontejnerët e dëmtuar. “Djegia e mbeturinave në kontejnerë është një nga problemet që më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë shumë të mëdha, pasi që brenda vitit rreth 100 kontejnerë përfshihen nga zjarri qëllimisht. Një kontejner i plastikës kushton mbi 300 euro, ndërsa 100 kontejner të djegur apo dëmtuar është një shumë e madhe e cila mbulohet me buxhet vetanak. Për këtë askush nuk merr përgjegjësi, kurse dëmin e pësojmë ne si ndërmarrje”, deklaroi drejtori i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka.
Ajo që është pozitive në këtë periudhë është se nuk është regjistruar asnjë rast i ndezjes së kontejnerëve, kjo për pasojë të orës policore dhe ndalimit të lëvizjeve gjatë orës të natës. Por, deri më tash ende nuk është ngritur asnjë kallëzim penal ndaj ndonjë individi lidhur me djegien e kontejnerëve në qytetin e Tetovës, sepse sipas informacioneve jozyrtare djegia ndodhë gjatë orëve të natës dhe nuk është kapur asnjë autor i këtyre veprave. Ndërkaq, disa herë edhe organizatat joqeveritare e kanë adresuar këtë problem, duke kërkuar përgjegjësi edhe nga NPK-ja por edhe nga policia që të gjejnë autorët e ndezjes së mbeturinave nëpër kontejnerë. Rastet e këtilla i kanë konfirmuar edhe nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë. “Janë raste të cilët ndodhin shumë shpesh në Tetovë. Ka dhjetëra intervenime për ndezje të kontejnerëve gjatë tërë vitit. Ky fenomen është problematik pasi që ndonjëherë nuk dihet se çfarë përbërje kanë sendet që janë hedhur dhe mund të lëndohen edhe zjarrfikësit gjatë intervenimit”, është shprehur Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.
Në vitin 2019, Komuna e Tetovës kishte aplikuar në një grant për të furnizuar Ndërmarrjen publike komunale Tetova-Tetova me një kamion special modern për grumbullim të mbeturinave në qytet dhe 150 kontejnerë. Ky donacion është ndarë nga ana e Komisionit evropian përmes mekanizmit të IPA fondeve. Kontejnerët tashmë janë vendosur, por shumë shpesh dëmtohen si pasojë e hedhjes së mbeturinave të amvisërive dhe djegies së mbeturinave. (koha.mk)