Urim HASIPI
Tetovë, 22 dhjetor – Komuna e Tearcës tashmë ka dërguar shkresë zyrtare te pushteti qendror që të përkrahë këtë komunë për të rregulluar mbetjet nga përmbytjet, që u shkaktuan nga Lumi i fshatit Poroj, të cilët ishin deponuar në territorin e Komunës së Tearcës, shkruan gazeta KOHA. Deri më tash përgjigje nuk ka nga Qeveria dhe Ministria e Ekologjisë, që të ndajë naftë të nevojshme që Komuna e Tearcës të pastrojë këto mbetje, kurse kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, thotë se nëse pushteti qendror nuk gjen zgjidhje tash, atëherë në të ardhmen do të ndalohet hedhja e mbetjeve në atarin e Komunës së Tearcës.
Ai shprehet se me këtë problem do të merret edhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim. “Ne jemi drejtuar me kërkesë Qeverisë dhe Ministrisë së Ekologjisë dhe kemi marrë përgjigje se me këtë çështje do të merret Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim dhe ne kemi kërkuar që të ndahen 10 tonë naftë, sepse si komunë nuk kemi kapacitet që të bëjnë nivelizimin e deponisë. Nëse nuk kemi përgjigje, atëherë do të mundohemi që me kompanitë tonë të bëjmë diçka dhe kjo do të jetë në koordinim me bashkësitë lokale”, tha Asani.
Ai më tej ka nënvizuar se ka marrë garanci nga ish ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, që pas stabilizimit të gjendjes do të intervenohet, por nuk ka asnjë përgjigje në këtë drejtim. “Sa i përket çështjes së deponive në nivel të rajonit të Pollogut, të krijuara në mënyrë të egër, të themi kushtimisht, ne mbajmë përgjegjësi për të gjithë rajonin, të gjithë kryetarët e komunave njëkohësisht edhe për deponinë regjionale deponinë Rusino, do të fokusohem në problemin që ne e kemi si komunë, deponia e cila u krijua nga vërshimet që ndodhën edhe këtë vit dhe para dy viteve, konkretisht në fshatin Gllogjë dhe Dobrosht, para dy javëve kemi adresuar kërkesë për sanimin e deponisë të krijuar nga material që është sjellë prej shtretërve të dy lumenjve në fshatin Poroj dhe në fshatin Poroj dhe Dobrosht, pasi që trupi koordinativ në atë kohë dha garancë me ish ministrin Nurhan Izairi, se ne, pas përfundimit të punëve, do të bëjmë nivelizim, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha kreu i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
Ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu, sqaroi se kjo çështje tashmë diskutohet në nivel qendror. “Mund t’ju them se çështja e deponive tanimë ka kaluar si temë në nivel të qeverisë ku qeveria realisht merret me gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për deponitë në nivel nacional. Ne jemi të mendimit se kjo çështje duhet të elaborohet mirë dhe të shihet edhe një herë se a është kapaciteti i duhur i rajoneve për ta zgjidhur këtë apo ky obligim do të duhet të merret më seriozisht në nivel nacional dhe të kalojë në kompetencë të pushtetit qendror, që përfundimisht ta marrin në mënyrë serioze dhe të gjejnë një zgjidhje”, tha ministri Fazliu. Përndryshe, vërshimet në muajin qershor sollën tonelata mbetje në Lumin e Porojit, kurse si lokacione për të transportuar këto mbetje ishte caktuar një vend që ndodhet në mes fshatrave Gllogjë dhe Dobrosht, ku akoma këta mbetjet janë të pa nivelizuara dhe të njëjtat janë shumë afër këtyre dy vendbanimeve dhe përreth ka edhe shtëpi banimi të cilët përballen me erë të pakëndshme gjatë tërë kohës dhe druajnë për përhapje të ndonjë epidemie. (koha.mk)