Nju-Jork, 5 nëntor 2018 – Raporti i ri i Kombeve të Bashkuara tregon se mbështjellësi i ozonit të Tokës po ripërtërihet dhe po zvogëlohet vrima e ozonit në Antarktik.
Mbështjellësi i ozonit e mbron planetin nga rrezatimi ultravjollcë, i cili shkakton kancer të lëkurës, u shkakton dëme të mbjellave dhe krijon probleme të tjera.
Raporti tregon se shtresa e epërme e ozonit në hemisferën veriore mund të ripërtërihet deri në vitin 2030, ndërsa në hemisferën jugore nga mesi i shekullit.
Vrima e ozonit mbi Polin jugor do të mund të zhdukej rreth vitit 2060.
“Ky është me të vërtetë lajm i mirë”, deklaroi Pol Njumen, shkencëtar kryesor për Tokën në Qendrën Godard për fluturime të gjithësisë pranë institutit NASA. “Nëse substancat që e varfërojnë mbështjellësin e ozonit do të vazhdonin të rriteshin, do të shihnim efekte të mëdha. Ne e parandaluam atë”, theksoi Njumen.
Shkencëtarët besojnë se për zhvillim të këtillë të situatës kontribuoi marrëveshja e vitit 1987, me të cilën ndalohen kimikatet të cilat janë të dëmshme për mbështjellësin e ozonit. Mbështjellësi i ozonit filloi të hollohet në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar